image VV-ja: Lajçaku ka thënë se pa Kurtin nuk mund të ketë marrëveshje të suksesshme me Serbinë

Politikë

VV-ja: Lajçaku ka thënë se pa Kurtin nuk mund të ketë marrëveshje të suksesshme me Serbinë

news image

Sot, i dërguari i posaçëm i Bashkim Evropian, Miroslav Lajçak, është takuar edhe me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, shkruan Gazeta Sinjali.

Sipas kumtesës së Lëvizjes Vetëvendosje, Lajçak ka thënë se pa Kurtin, Kosova nuk mund të ketë marrëveshje të suksesshme me Serbinë.

“Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për Dialogun Beograd-Prishtinë z. Lajçak gjatë takimit theksoi interesimin e Brukselit për dialog me parime e marrëveshje për normalizim midis dy vendeve. Por, z. Lajçak u shpreh se nuk mund të ketë marrëveshje të suksesshme pa përfshirjen e Kryetarit Albin Kurti dhe Lëvizjen Vetëvendosje, kjo duke marrë parasysh përkrahjen gjithnjë në rritje dhe ndikimin e madh brenda vendit. Ai njoftoi që Brukseli po punon për rifillimin e dialogut i cili pritet të nis në muajin që vjen”, thuhet në kumtesë.

Ndërkaq, Kurti citohet të ketë thënë se dialogu duhet të zhvillohet larg marrëveshjeve sekrete për shkëmbim territorial, si dhe nën udhëheqjen e përfaqësuesve legal dhe legjitim.

“Ndërsa, Kurti nënvizoi se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është i nevojshëm. Dialogu duhet të zhvillohet në mënyrë transparente, larg nga marrëveshjet sekrete për shkëmbim territorial dhe me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Dialogu duhet të udhëhiqet nga përfaqësues legal dhe legjitim e jo nga këta që kanë kontrabanduar pushtetin duke rrëzuar qeverinë e mirë dhe demokratike të zgjedhur nga populli. Prandaj, zgjedhjet janë të domosdoshme dhe të pashmagmshme për një qeveri legjitime e kredibile të dialogoj dhe të arrij një marrëveshje të qëndrueshme e afatgjate”, njofton komunikata.

Në këtë takim, Kurti u shoqëruar nga nënkryetari Besnik Bislimi, deputetja dhe anëtarja e kryesisë, Fitore Pacolli – Dalipi dhe anëtari i kryesisë, Glauk Konjufca. Në anën tjetër përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian ishte nën shoqërimin e shefes së zyrës së BE-së, Natalia Apostolova, Anna Maria Boura, kryesuese e COWEB, Katharina Kandt, këshilltare e Lajçak dhe Umerr Al – Khatib, këshilltar politik në zyrën e BE-së.

“Në fund, të dyja palët u dakorduan që të vazhdojnë komunikimin e rregullt dhe të sinqertë në mënyrë që të informojnë njëri tjetrin për zhvillimet e mundshme në skenën politike”, përfundon njoftimi./Gazeta Sinjali/

https://www.facebook.com/vetevendosje/posts/10156918518697000