image VV-ja bojkotoi mbledhjen e komisionit ku do të raportonte drejtori i AKI-së lidhur me kërcënimet ndaj Dick Martyt

Siguri

VV-ja bojkotoi mbledhjen e komisionit ku do të raportonte drejtori i AKI-së lidhur me kërcënimet ndaj Dick Martyt

news image

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, e cila mban edhe pozitën e kryetares së Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, ka bërë të ditur se ka dështuar të mbahet mbledhja e sotme e këtij komisioni.

Musliu ka thënë se arsyeja e dështimit të mbledhjes është bojkotimi nga anëtarët e Lëvizjes Vetënvendosje.

Në një konferencë për media të mbajtur të mërkurën, ajo ka deklaruar se këtë mbledhje e kanë thirrur pas raportimeve se shërbimet sekrete serbe kanë planifikuar vrasjen e ish-raportuesit të Këshillit të Evropës, Dick Marty, i cili ka hetuar krimet e supozuara të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë, në periudhën janar 1998 – dhjetor 2000.

Në këtë mbledhje, kryetarja e komisionit tha se do të kërkonte informacione nga drejtori i AKI-së nëse ka qenë në dijeni për këto kërcënime ndaj Martyt dhe se çfarë veprime ka ndërmarrë pas raportimeve në media.

“Pas raportimeve për planifikimin e ekzekutimit të Dick Martyt nga shërbimet sekrete serbe, si kryetare e komisionit kemi kërkuar nga AKI-ja të dimë se çfarë informacione ka ky institucion lidhur me rastin. Edhe pse ishin të ftuar të gjithë anëtarët kjo mbledhje u bojkotua nga VV-ja. Kam kërkuar të dijë nga drejtori i AKI-ja të dijë se a ka qenë në dijeni më herët lidhur me këto kërcënime ndaj Dick Martyt dhe se çfarë veprime ka ndërmarrë pas raportimeve”, tha Musliu para gazetarëve.

Mes tjerash, deputetja e PDK-së tha se kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani nuk kanë dhënë asnjë deklaratë zyrtare lidhur me këtë çështje dhe se nuk janë të gatshëm për të mbrojtur luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

/GazetaSinjali/