image Policia konfirmon raportimin e Sinjalit për aksionin e Krimeve Kibernetike, një person dërgohet në mbajtje

Siguri

Policia konfirmon raportimin e Sinjalit për aksionin e Krimeve Kibernetike, një person dërgohet në mbajtje

news image

Gazeta Sinjali ka raportuar sot ekskluzivisht se Krimet Kibernetike në kuadër të Drejtorisë së Policisë së Kosovës, kanë zhvilluar një aksion në regjionin e Prishtinës, cak i të cilit ishin falsifikuesit dhe keqpërdoruesit e kartelave bankare.

Gjatë aksionit, në stacionin policor janë shoqëruar dy persona, ndërsa tani Policia e konfirmon që njëri nga ta është dërguar në mbajtje.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, tha për Sinjalin se i arrestuari dyshohet se e ka kryer veprën penale “Lëshimi i çeqeve pa mbulesë ose të rremë dhe keqpërdorimi i kartelave të bankës apo të kreditit”.

“Ju konfirmoj se Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar, konkretisht Sektori për Hetime të Krimeve Kibernetike, sot ka arrestuar një person të dyshuar, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Lëshimi i çeqeve pa mbulesë ose të rremë dhe keqpërdorimi i kartelave të bankës apo të kreditit” përcaktuar sipas kodit penal të Republikës së Kosovës”, tha Hoxha.

Lidhur me aksionin e Krimeve Kibernetike të zhvilluar sot, detaje janë dhënë në faqen zyrtare të Policisë së Kosovës në Facebook.

Sipas Policisë i dyshuari, në mënyrë të kundërligjshme, duke keqpërdorur pozitën dhe besimin e klientëve, ka vjedhur të dhënat e kartelave bankare të klientëve të cilët kanë bërë blerje në dyqanin ku i dyshuari ka punuar si menaxher, dhe pastaj këto të dhëna i njëjti i kishte përdorur duke bërë blerje të kriptovalutave në një platformë online të kriptovalutave.

Gjithashtu, në këtë rast janë identifikuar disa të dëmtuar në banka të ndryshme të Kosovës dhe dëmi i shkaktuar është disa mijëra euro.

“I dyshuari ka fotografuar kartelat bankare në momentin kur klientët ia kanë dhënë kartelën arkatares për të bërë pagesë, në disa raste i dyshuari e ka marrë kartelën e bankës nga arkatarja dhe në mënyrë të fshehtë me telefonin e tij i ka fotografuar kartelat në të dy anët me qëllim që këto të dhëna pastaj ti përdor për përfitime materiale në mënyrë të kundërligjshme. Në këtë rast janë identifikuar disa të dëmtuar në disa banka të ndryshme të Kosovës, dhe dëmi i shkaktuar është disa mijëra euro”, thuhet në njoftim.

/GazetaSinjali/