Koordinatorja e Ekipit Menaxhues për hartimin e draft statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe ka bërë të ditur se është bërë prezantimi në takimin që po mbahet mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit Aleksandër Vuçiq.
Danijela Vujiçiq, e cila është edhe anëtare e partisë së presidentit Vuçiq, ka pretenduar se Kurti dhe kryenegociatori Bislimi e kanë sharë gjatë gjithë kohës derisa po prezantonte.
“Po të mos ishte Aleksandar Vuçiq, do të kishte ndodhur kaos. Kurti dhe Bislimi gjatë gjithë kohës kanë sharë, duke u drejtuar me tallje dhe vrazhdësi, me përbuzje dhe nënçmim. Presidenti Vuçiq ka reaguar ashpër ndaj kësaj.” – citohet të ketë thënë ajo nga “Kosovo-Online”.
Tutje, ajo ka deklaruar se kanë pasur vetëm 3 minuta për ta prezantuar draft statutin për të cilin thotë se ka 67 nene dhe nëntë kapituj.
“Pas pesë vitesh patëm mundësinë të prezantojmë draftin e Statutit të Asociacionit. Përveç fjalës hyrëse që mbajta, kishim vetëm 30 minuta siç e kishte parashikuar BE-ja. Ishte e pamundur të prezantoheshin 67 nene dhe nëntë kapituj në 30 minuta, por përmes prezantimit arrita ta them këtë, tani është punë e madhe që delegacioni ta lexojë artikull për nen dhe palët të bëjnë vërejtje të caktuara.” – tha ajo para gazetarëve.
Në fund, ajo ka deklaruar si vijon: “Ne i përmbahemi rreptësisht kornizës. Statuti është i shkëlqyer”.
Vlen të theksohet se para prezantimit të draft statutit për Asociacionin, Kurti dhe Vuçiq miratuan Deklaratën për personat e Zhdukur, e cila ka gjithsej nëntë nene.