Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq është deklaruar pas takimit me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, të cilin dje e kishte nikoqir në Pallatin Presidencial të Parisit.
Vuçiq ka thënë për mediat serbe se Macron e ka çuar në një dhomë të veçantë jozyrtare dhe kanë biseduar privatisht për një orë e gjysmë.
“Ai më çoi në dhoma që nuk janë një zyre zyrtare, kështu që unë munda të shihja dhoma të veçanta të presidentëve francezë. Macron kujtoi emocionet që përjetoi në Beograd. Ai tregoi për mikpritjen e jashtëzakonshme. Më duhet të them që ne e kuptojmë mirë njëri-tjetrin, Macron gjithmonë flet gjuhë të qartë”, tha ai.
Në takimin e dy presidentëve janë diskutuar tri tema kryesore: Samiti ku rifillon dialogu Kosovë-Serbi, marrëdhëniet bilaterale Francë-Serbi dhe e ardhmja e Europës dhe e Serbisë në Bashkimin Europian, shkruan B92.
“Është me rëndësi thelbësore që mësova nga Macron se si ai e sheh Evropën dhe botën në të ardhmen, me një përmbledhje kryesore të rrugës europiane të Serbisë”, u shpreh Vuçiq. /Gazeta Sinjali