Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar që Serbia do të vazhdojë fushatën e çnjohjeve ndaj pavarësisë së Kosovës. Ai këtë deklaratë e ka dhënë në një intervistë për “Foreign Policy”, derisa po qëndronte në Uashington.
Kreu i Serbisë ka folur rreth raporteve mes Serbisë dhe Kosovës, raporteve të Serbisë me Kinën dhe Rusinë, si dhe oreksit të shtetit të tij për blerjen e sistemeve amerikane të armatimit.
Ai ka folur edhe rreth hapave që do t’i ndërmarrë Serbia, kur është në pyetje Kosova.
“Shpresojmë që ata do t’i heqin tarifat dhe kjo do të ndodhë shkaku i presionit amerikan mbi ta. Në të kundërtën, ata nuk do t’i heqin kurrë ato”, ka thënë Vuçiqi.
Ai është shprehur se nuk e di se cila do të jetë forma përfundimtare e këtij procesi.
“Mezi po e pres krijimin e lidhjeve më të mira ekonomike e atëherë do të fillojmë ta kuptojmë më mirë njëri-tjetrin”, ka thënë ai, teksa ka shtuar se nevojiten më shumë bisedime.
Me gjithë hapat e paralajmëruar nga Kurti për heqjen e tarifave, Vuçiq thotë se nuk do të përfundojë fushata serbe e çnjohjeve.
“Nuk mund të shpërblehesh, shkaku që ke vënë tarifa mbi Serbinë. Duhet të kthehemi tek të njëjtat pozicione që i kemi pasur, para se ata t’i vinin ato tarifa”, ka thënë ai.
“E kuptoj domosdoshmërinë për dialog të njëmendtë dhe e kuptoj domosdoshmërinë e zgjidhjes së problemit, gjë të cilën nuk e kam të lehtë ta them, pasi që nëse pyesni shumicën e serbëve, ata do ta preferonin një ‘konflikt të ngrirë’ karshi një zgjidhjeje të vetme. E unë nuk i përkas asaj shumice”, ka thënë ai.
Vuçiqi për “Foreign Policy” ka thënë se duhet vazhduar dialogun, duke ndërmarrë përpjekje të domosdoshme për gjetjen e një kompromisi të mundshëm.