image Vuçiq nderon Grenellin për “qasje të balancuar ndaj Serbisë”

Politikë

Vuçiq nderon Grenellin për “qasje të balancuar ndaj Serbisë”

news image

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka konfirmuar më 15 shkurt se do të nderojë ish të dërguarin e posaçëm të Uashingtonit për dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, Richard Grenell.

Presidenti i atëhershëm i SHBA-së, Donald Trump, emëroi ambasadorin amerikan në Gjermani, Richard Grenell, si të dërguar të posaçëm të administratës amerikane për dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

Në gusht të vitit 2021, marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës filluan të trajtohen nga Gabriel Escobar, i cili u emërua Zëvendës Ndihmës Sekretar në Byronë e Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike të Departamentit të Shtetit.

Më 15 shkurt, Vuçiq, kur u pyet nga një gazetar për nderimin e Grenellit me rastin e Ditës së Shtetësisë së Serbisë, tha se ishte vendim që e mori personalisht, pasi sipas tij, Grenell “avokoi për Serbinë”.

“Një nga të paktët që u përpoq të kishte një qasje të balancuar, u përpoq të dëgjonte palën serbe, avokoi që zëri i Serbisë të dëgjohej”, u përgjigj Vuçiq.

Presidenti i Serbisë tradicionalisht në festën kombëtare nderon me urdhër të lartë shtetëror individë, shërbimet e të cilëve i konsideron të dalluara.

I pyetur nëse Qeveria e Serbisë e ka paguar Grenellin për lobim, presidenti i Serbisë tha: “Nuk mendoj se po, por une nuk jam në Qeveri”.

Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës është parakusht që të dyja vendet të vazhdojnë integrimin euroatlantik.

Beogradi zyrtar ende refuzon të njohë pavarësinë e Kosovës, të shpallur më 17 shkurt të vitit 2008.

/GazetaSinjali/