Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq i është drejtuar publikut serb pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Beograd. Siç raportojnë mediat serbe, Vuçiq tha se Serbia kërkon tërheqjen e të gjithë trupave që po qëndrojnë në veri të Kosovës si dhe një përgjigje urgjente nga BE -ja për situatën. Vuçiq tha se ai e mori një propozim për zgjidhjen e situatës në pikat kufitare në Jarinje dhe Bërnjak dje, por se e refuzoi atë propozim, duke e quajtur poshtërues për Serbinë.
Vuçiq, tha sot se Serbia do të marrë parasysh masat kundër Kosovës në ditët e ardhshme dhe më pas do të dalë me to.
“Ne duam të tregojmë vullnet të mirë dhe t’i japim kohë Prishtinës për të ndryshuar vendimet e këqija, nëse ata nuk duan, ne do të marrim masa për të mbrojtur Serbinë” tha Vuçiq pas seancës së Këshillit të Sigurisë Kombëtare.
Në fillim të fjalimit të tij para publikut, Vuçiq foli për situatën në ushtrinë serbe, si dhe në Ministrinë e Brendshme. Kreu serb tha se ndër tjerash u analizua armatimi i ushtrisë dhe policisë.
Vuçiq e quajti aksion kriminal, pozicionimin e forcave speciale policore në pikat kufitare në Jarinje e Bërnjak për ta mbikqyrur zbatimin e vendimit të fundit të Qeverisë për reciprocitetin në çështjen e targave të automjeteve.
“Diskutuam për situatën në Kosovë e Metohi, veçanërisht pas aksionit kriminal të Prishtinës dhe inkursionit të gjashtë në veri të Kosovës dhe Metohisë, me përdorimin e automjeteve të blinduara, armëve të gjata dhe ngacmime të qytetarëve”, tha Vuçiq.
“Ne kemi arritur në përfundime, Serbia do të vazhdojë të këmbëngulë në ruajtjen e paqes dhe sigurisë së plotë për serbët në Kosovë dhe Metohi. Ne i konsiderojmë të papërshtatshme deklaratat në të cilat Beogradi dhe Prishtina barazohen. Serbia dëshiron ta vazhdojë dialogun, por nuk dëshiron të pranojë marrëveshje nga veprimet kriminale”, tha Vuçiq.
Tutje, ai tha se dje mori një propozim për, siç tha ai “zgjidhje kompromisi” për këtë çështje.
“Unë e refuzova sepse nuk është kompromis dhe sepse e kthen Serbinë prapa. Shkurt – është një zgjidhje që përmban 70% të asaj që shqiptarët kishin ndërmend të bënin, në mënyrë që të harrohej kjo”, tha presidenti serb.
“Unë thjesht refuzova sepse jam lodhur nga politika e aktit të përfunduar dhe sepse ju nuk mund ta bëni këtë”, shtoi Vuçiq.
Në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Serbi morën pjesë ministrat Nebojsha Stefanoviq, Aleksandar Vulin, si dhe shefi i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë serbe, Milan Mojsiloviq dhe kretori i BIA-s, Bratislav Gasiq. /GazetaSinjali/