Qeveria e Serbisë në seancën e sotme ka marrë vendim për tërheqjen e Ligjit për shpronësim nga procedura parlamentare, ligj për të cilin kanë protestuar qindra qytetar pak ditë më parë.
Ligji është kthyer në Kuvendin e Serbisë për rivendim nga presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq.
Sipas mediumit rs.n1info, në të njëjtën seancë, qeveria i propozoi Kuvendit Popullor ndryshime në Ligjin për referendum dhe nismë popullore, në nenet 7, 20, 43 dhe 44.
Nenet e përmendura kanë të bëjnë me vërtetimin e nënshkrimeve të përfaqësuesve të propozuesit të autorizuar në referendum.
Propozimi i qeverisë heq tarifën për verifikimin e nënshkrimeve, si dhe u mundëson përfaqësuesve të propozuesve të autorizuar të jenë pjesë e organit për zhvillimin e referendumit.
Gjithashtu, sipas propozimit, nuk do të mund të shpallet referendum për të njëjtën çështje në më pak se katër vjet dhe Kuvendi i Serbisë nuk do të mund të marrë një vendim të ndryshëm nga ai i konfirmuar në referendum brenda katër viteve./GazetaSinjali/