image "Më duket se ata nuk e shohin mirë gjendjen e tyre ekonomike", Vuçiq ironizon me qëndrimin e Kosovës për "Ballkanin e Hapur"

Politikë

“Më duket se ata nuk e shohin mirë gjendjen e tyre ekonomike”, Vuçiq ironizon me qëndrimin e Kosovës për “Ballkanin e Hapur”

news image

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, mbrojti me këmbëngulje nismën “Ballkani i Hapur”. Kreu i shtetit serb theksoi se përfitimet janë të mëdha për të gjitha shtetet, ndaj ai fton edhe Kosovën që t’i bashkohet projektit.

“Sigurisht, Serbia do të përfitojë nga nisma “Ballkani i Hapur”, por edhe Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, i gjithë rajoni. Dhe nuk ka dyshim që Prishtina nëse do dëshironte të merrte pjesë dhe ata gjithashtu do të kishin një përfitim të madh.”

Vuçiq ironizoi qëndrimin e Qeverisë së Kosovës lidhur me këtë nismë.

“Më duket se ata nuk e shohin mirë gjendjen e tyre ekonomike dhe se nuk e kuptojnë mirë, por çfarë të bëjmë. Mbase ata e shikojnë më mirë të ardhmen se sa unë. Por gjithsesi do të shohim rezultatin.”

Këto deklarata Vuçiq i bëri pas takimit me presidentin turk, Rexhep Tajip Erdogan, në Stamboll. Dy liderët diskutuan për zhvillimin ekonomik, investimet dhe marrëdhëniet në rajon. Temë diskutimi ishte edhe dialogu Kosovë – Beograd, ku Erdogan shprehu mbështetjen për avancimin e këtij procesi.

“Presidenti Erdogan ka mbështetur dialogun midis Kosovës dhe Serbisë dhe beson se është e rëndësishme të arrihet një zgjidhje kompromisi. Por ne nuk u fokusuam vetëm te Kosova, por tek i gjithë rajoni.”

Vuçiq njoftoi se presidenti turk do të vizitojë Serbinë brenda vitit dhe theksoi se Turqia paraqet një garanci shtesë për stabilitetin dhe ruajtjen e paqes në Ballkanin Perëndimor./GazetaSinjali/