image Mediat serbe krahasojnë intervistat e Vuçiqit, presidenti iu del dyfytyrësh brenda 24 orëve

Politikë

Mediat serbe krahasojnë intervistat e Vuçiqit, presidenti iu del dyfytyrësh brenda 24 orëve

news image

Dy intervista, njëra për CNN, tjetra për Televizionin serb “Happy”, shfaqën dy fytyrat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Njëra për publikun serb dhe tjetra për publikun e huaj.

Pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti vrarë një polic i Kosovës, dhe për të cilin përgjegjësinë e mori nënkryetari i deritanishëm i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, presidenti i Serbisë u përball me një detyrë jo aq të thjeshtë – ta sqarojë vetë ngjarjen, për të përcaktohej për të, por edhe sipas asaj se me porosinë e kujt ndodhi.

Mirëpo, siç transmeton “Nova“, askush nuk e priste që për vetëm 24 orë presidenti i Serbisë do të bënte dy paraqitje krejtësisht të ndryshme për të njëjtin rast.

Në bisedën me Christiane Amanpour për CNN, Vuçiqit iu desh të jetë konkret në përgjigjet e tij, duke përfshirë edhe përgjegjësinë e Milan Radoiçiqit.

“Pyetja është e thjeshtë, po apo jo?”, tha Amanpour, duke kërkuar nga Vuçiq të deklarojë qartë nëse Radoiçiq do të dënohet.

Ajo mori përgjigjen e mëposhtme:

“Serbia sigurisht që do t’i kërkojë llogari të gjithë personave që kanë kryer vepra kriminale, ai është i qasshëm dhe në territorin tonë prokuroria do të bëjë punën e saj. Mirëpo, ka edhe diçka tjetër, unë po flisja për problemet, problemi është se serbët donin të mbroheshin dhe unë nuk do ta mbroj vrasjen e një polici të Kosovës dhe e dënoj. Serbët janë arrestuar pa asnjë akuzë”, tha Vuçiq me këtë rast.

Pak orë më vonë në emisionin “Cirilica” në “Happy Tv, te Milomir Mariq, atij që Serbia duhet t’i kërkojë llogari, për pak sa nuk mori një aureolë.

Duke folur për Milan Radoiçiqin, Vuçiq ka deklaruar se ai gjithmonë i ka qëndruar pranë popullit të tij.

“Radoiçiq rrezikoi shtëpinë dhe gjithçka që kishte për të shkuar të vdiste”, ka thënë presidenti serb dhe më pas ka thënë se “me vite kanë gënjyer se ai ka vrarë Oliver Ivanoviqin”.

“Në fund, gjyqësori i Kosovës hoqi dorë nga kjo”, tha Vuçiq, duke theksuar se Radoiçiq “nuk është akademik, as piktor, as shkrimtar”,  sikur kjo mund të ishte një lloj justifikimi.

“Ai është një njeri që është rritur në rrugë. Ai ka lindur në Pejë, ka jetuar në Mitrovicë dhe ka qenë pranë popullit të tij”, tha Vuçiq.

Gazetarja e CNN-it, Amanpour, gjatë intervistës ia ka përkujtuar presidentit të Serbisë deklaratën e tij pas negociatave me Albin Kurtin në Ohër, kur duke iu drejtuar opinionit vendas deklaroi se nuk e ka nënshkruar marrëveshjen sepse “ka dhimbje në dorën e djathtë” dhe se në të njëtën do të ketë dhimbje në katër vitet e ardhshme.

Amanpour e pyeti Vuçiqin nëse “ende i dhemb krahu” apo është i gatshëm për marrëveshje.

“E vlerësoj objektivitetin tuaj”, tha Vuçiq dhe vazhdoi:

“Dua të them se ndoshta nuk e keni ndjekur atë që tha BE-ja pas takimit tonë të fundit. BE-ja më pas tha publikisht se Serbia është plotësisht konstruktive”, tha Vuçiq dhe shtoi se për këtë folën përfaqësuesit evropianë Jozep Borelj dhe Miroslav Lajçak.

Ai tha se po bën “gjithçka që ka thënë se do ta bëjë”.

“Kam bërë gjithçka që u kam thënë miqve tanë nga SHBA-ja dhe BE-ja se do të bëj, por ekziston Kushtetuta e Serbisë dhe duhet ta respektoj. Unë nuk kam fshehur asgjë në praninë e tyre”, tha Vuçiq.

Por, te gazetari serb në “Happy TV” nuk foli për miqtë nga BE-ja, por për të tjerët…

Vuçiq zbuloi se ai do të shkojë në Kinë më 15 ose 16 tetor në samitin Brez dhe rruga dhe se atëherë do të nënshkruhen një sërë kontratash të rëndësishme (mbi 30).

“Këto janë gjëra të mëdha në të ardhmen, do të kem edhe një takim dypalësh me presidentin Xi. E shoh që kanë shkruar në media se do të takohem me Putinin, edhe pse nuk kam asnjë informacion për këtë”, ka thënë Vuçiq dhe ka paralajmëruar vizitën e kryeministrit hungarez Viktor Orban.

Dhe kjo nuk është gjë tjetër veçse vazhdimësi e politikës së balancimit dhe uljes në dy, tre apo më shumë karrige, në varësi të nevojës dhe mundësive.

/GazetaSinjali/