Një burrë ka vdekur dhe dy gra janë plagosur gjatë një mosmarrëveshjeje familjare në një apartament në rrethin 2 të Cyrihut, mëngjesin e sotëm.
Sipas Policisë së Cyrihut, ngjarja ka ndodhur pak para orës 7 të mëngjesit, kur u raportua një mosmarrëveshje e dhunshme familjare në një apartament në Zurich-Wollishofen.
Në vendin e ngjarjes, shërbimet e urgjencës hasën në dy gra të plagosura, të dyja zvicerane, të moshës 18 dhe 50 vjeç dhe një burrë të plagosur rëndë.
Burri i moshës 47-vjeç me shtetësi zvicerane, i cili sipas 20minuten.ch është me prejardhje kosovare, ka vdekur në apartament pavarësisht ndihmës mjekësore.
Ndërkaq, dy të plagosurat, nënë dhe bijë, janë dërguar në spital.
47 vjeçari nga Kosova tashmë i ndjerë ka drejtuar një biznes të makinave për 20 vjet, thotë një person i punësuar tek ai: “Unë e njoh atë dhe familjen e tij për një kohë të gjatë”. Ai thotë se ngjarja e ka befasuar shumë: “Asnjëherë nuk ka pasur konflikte mes tyre. Ata ishin njerëz paqësorë”.
Punonjësi është i shokuar . “Është trishtuese kjo që ka ndodhur”, ka thënë ai për 20minuten.ch
B. kishte ardhur në Zvicër nga Kosova në moshën 16 vjeçare. Së bashku me gruan e tij, kanë dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë, përcjell albinfo.ch. “Ata janë njerëz shumë të mirë. Djali është student dhe ka një firmë “. Sipas punonjësit, edhe vajza do të studionte gjithashtu. Ndërsa gruaja mbante kontabilitetin në dyqanin e B.
Sipas Policisë së Qytetit të Cyrihut, prapavija dhe rrjedha e ngjarjeve janë ende të paqarta, transmeton albinfo.ch. Ato janë objekt i hetimeve të vazhdueshme nga zyra e prokurorit publik, Instituti për Mjekësinë Ligjore dhe Policia Kantonale e Cyrihut. Specialistët e Institutit të Forenzikës janë thirrur për të siguruar provat./Gazeta Sinjali/