image “Po më shkakton dhunë psikike pandërprerë”, gruaja nga Rahoveci e çon burrin në Polici për dhunë në familje

Siguri

“Po më shkakton dhunë psikike pandërprerë”, gruaja nga Rahoveci e çon burrin në Polici për dhunë në familje

news image

Rastet e dhunës në familjet kosovare vetëm sa po shtohen, e viktimat më të shpeshta po vazhdojnë të jenë gratë. Sinjali ka mësuar detaje edhe për një rast të dhunës në familje në rrugën “Dëshmorët e Demokracisë” në Rahovec, ku një grua raporton se ka përjetuar dhunë psikike nga bashkëshorti i saj, shkruan Gazeta Sinjali.

Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë bëjnë të ditur se rasti ka ndodhur dje rreth orës 18:00, në Rahovec. Në dëshminë e saj dhënë para hetuesve, gruaja ka deklaruar se bashkëshorti i saj po ushtron vazhdimisht dhunë psikike ndaj saj, madje para disa ditëve sipas saj, ai i ka shkaktuar edhe dhunë fizike, mirëpo këtë rast e kishte heshtur, duke shpresuar që nuk do përsëritej më.

Mirëpo, heshtja e saj duket se e ka motivuar bashkëshortin për të vazhduar avazin e vjetër dhe në pamundësi për ta mbrojtur vetën ndryshe, gruaja është detyruar për të kërkuar ndihmë dhe mbrojtje nga Policia.

Për t’i dalë në ndihmë, policia ka arrestuar të dyshuarin, me ç’rast i njëjti është dërguar në stacion policor për t’u intervistuar. Gjatë dhënies së dëshmisë, ai ka mohuar pretendimet e bashkëshortes dhe nuk e ka pranuar se ka ushtruar dhunë ndaj gruas së tij.

Sinjali mëson se rasti dhe i dyshuari ishte i njohur për policinë ngase çifti në fjalë ka edhe tri raste të tjera të dhunës të raportuara, e të cilat janë në trajtim nga Prokuroria.

Për dyshimet e ngritura dhe për shkak të së kaluarës së dyshuarit, me urdhër të prokurorit rasti është iniciuar si “Dhunë në familje”, ku i njëjti është dërguar në mbajtje për 48 orë.

/GazetaSinjali/