image I plagosuri në Gjilan në mesin e të dyshuarve për vrasjen e Egzon Rafunës

Siguri

I plagosuri në Gjilan në mesin e të dyshuarve për vrasjen e Egzon Rafunës

news image

Një ngjarje e rëndë ka tronditur mbrëmë Gjilanin, ku gjatë një përleshjeje të armatosur mbeti i vrarë 22-vjeçari, Egzon Rafuna dhe u plagos 29-vjeçari, Valdrin Halimi, nga fshatin Pogragjë i kësaj komune, raporton Gazeta Sinjali.

Prokuroria Themelore në Gjilan ka njoftuar se të dyshuar për përfshirje në rastin “Vrasje e rëndë” janë edhe pesë persona.

Në mesin e të dyshuarve për vrasjen e Egzonit është edhe Valdrini, i cili mbeti i plagosur në këtë rast.

Përveç Valdrinit, i cili është duke u trajtuar në QKUK, tre të dyshuarit e tjerë janë arrestuar dhe janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

Ndërkaq, një i dyshuar tjetër ndodhet ende në arrati.

“Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ka ndaluar katër persona në kohëzgjatje prej 48 orësh, tani të dyshuarit V.H., B.K., A.S. dhe E.N., pasi dyshohen se kanë qenë të përfshirë në incidentin e mbrëmshëm (08 Nëntor 2021) me armë zjarri në Gjilan, në të cilin tani i ndjeri E.R., si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë. Gjithashtu, nga kjo ngjarje është plagosur edhe i dyshuari V.H., i cili është duke u trajtuar në QKUK, nën mbikëqyrjen dhe sigurimin e njësiteve policore. Po ashtu, në këtë rast, dyshohet se ka qenë i involvuar edhe një person tjetër, i cili për momentin gjendet në arrati”, njofton Prokuroria Themelore në Gjilan.

Ndërsa, trupi i pajetë i E.R është dërguar në obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.

“Me urdhër të prokurorit të shtetit, trupi i pa jetë i të ndjerit E.R. është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore, në Prishtinë, ndërsa, ndaj të dyshuarve të lartshënuar brenda afatit ligjor do të kërkohet masa për sigurimin e të pandehurve në procedurë penale, nga Gjykata Themelore në Gjilan”, thuhet në komunikatë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./Gazeta Sinjali/