Një konflikt mes dy të miturve në Fushë Kosovë ka eskaluar në dhunë fizike, ku një 14-vjeçar dyshohet se e ka goditur me grusht një tjetër të mitur, duke e lënë me lëndime që kanë kërkuar trajtim në QKUK, raporton Gazeta Sinjali.
Ngjarja ka ndodhur afër kafiterisë “Pollson” në rrugën “Hajrullah Zymi”, ku Policia kishte pranuar informacion për një sulm fizik.
Burime të Sinjalit bëjnë të ditur se viktima, L.R., i lindur në vitin 2012, ka deklaruar para hetuesve se ishte sulmuar nga një person tjetër i mitur, ndërsa për shkak të gjendjes së tij është dërguar për trajtim të mëtutjeshëm në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Pas veprimeve hetimore, Policia ka arritur ta identifikojë dhe arrestojë të dyshuarin L.B., i lindur në vitin 2010.
Gjatë intervistimit, i dyshuari ka pranuar se e kishte goditur viktimën me grusht në fytyrë, duke thënë se konflikti kishte nisur pas disa ofendimeve.
Me urdhër të Prokurorit Kujdestar, rasti është iniciuar si “Lëndim i rëndë trupor”, ndërsa të miturit i është caktuar masa e ndalimit për 24 orë.
I njëjti është dërguar në Qendër të Mbajtjes.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!