image Vrasja e rëndë në Skenderaj, viktima është një 39-vjeçar

Siguri

Vrasja e rëndë në Skenderaj, viktima është një 39-vjeçar

news image

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmë pas mesnate në një kafene në fshatin Runik të Skenderajt, ku si pasojë e të shtënave ka humbur jetën një person dhe kanë mbetur të plagosur tre të tjerë, raporton Gazeta Sinjali.

Rastin për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, i cili ka bërë me dije se viktima është 39-vjeçar dhe i njëjti ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.

Sipas Zahitit, tre të plagosurit janë dërguar për tretman mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

“Rreth orës 01:21, të datës 10 gusht 2023, policia ka marrë informatën për të shtëna me armë zjarri në një kafiteri në fshatin Runikë të Skenderajt. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e nevojshme policore dhe ekipi mjekësor. Bazuar në hetimet fillestare, nga arma e zjarrit lëndime kanë pësuar katër persona, njëri nga të lënduarit viktima N. L., 39 vjeçar, ka ndërruar jetë në vendngjarje, ndërsa, tre persona të tjerë të lënduar ( po ashtu nga arma e zjarrit ) janë dërguar për tretman mjekësor në QKUK”, tha Zahiti.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës ka dhënë detaje, duke thënë se bazuar në informacionet e para, dy persona të maskuar kanë hyrë brenda kafenesë dhe kanë shtënë me armë e më pas janë larguar në drejtim të panjohur.

“Nga hetimet e para dhe këqyrja e vendit të ngjarjes, dyshohet se dy persona të dyshuar e të maskuar kanë hyrë brenda në kafiteri kanë shtënë me armë dhe janë larguar në drejtim të panjohur. Në cilësi të provave materiale në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe konfiskuar disa gëzhoja. Gjitha veprimet e ndërmarra policore, janë udhëhequr nga prokurori i rastit i cili ka dalë në vend të ngjarjes ndërsa i njëjti ka autorizuar që trupi i pajetë i viktimës të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore . Hetuesit e Sektorit Rajonal , janë duke punuar intensivisht për identifikimin dhe arrestimin e kryesit/ve të veprës si dhe zbardhjen e kësaj vepre penale”, ka thënë ai më tutje.

/GazetaSinjali/