Fshati Kuk i Dragashit dhe i gjithë vendi u trondit nga ngjarja e rëndë që ndodhi të hënën, ku një grua e moshuar u gjet pa shenja jete. Sahime Domuzet u rrah për vdekje me mjete të forta nga kunata e saj, e cila dyshohet se në vazhdimësi ka ushtruar dhunë ndaj saj. 67-vjeçarja nuk arriti t’u bëjë ballë plagëve dhe për pasojë ndërroi jetë. E dyshuara, Nazire Abdyli, është arrestuar dhe tashmë Prokuroria ka dalë me komunikatë në lidhje me rastin.
Ndaj të dyshuarës, Prokuroria Themelore në Prizren, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit nga Gjykata Themelore në Prizren, për shkak dyshimit të bazuar se e njëjta ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”
Sipas kërkesës së prokurorisë, “e pandehura N.A., me dashje ka privuar nga jeta anëtaren e familjes – motrën e bashkëshortit të saj, me të cilën ka bashkëjetuar në ekonomi të përbashkët familjare, në atë mënyrë që me datë 23.12.2022, rreth orës 10:00, derisa e ndjera ishte e shtrirë në njërën nga dhomat e shtëpisë, e pandehura me anë të një shkopi prej druri të modifikuar e godet disa herë viktimën në kokë dhe në pjesë të ndryshme të trupit duke i shkaktuar gjakderdhje në tru, dhe si pasojë e këtij lëndimi e njëjta ka ndërruar jetë me datë 26.12.2022, rreth orës 05:30″, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
E dyshuara e ka pranuar veprën të cilën dyshohet se e ka kryer dhe ka njoftuar se mjetet të cilat i ka përdorur për vrasjen e kunatës i ka fshehur. Arrestimi i saj është bërë pas intervistimit për herë të dytë, ku para hetuesve policorë ka rrëfyer ngjarjen në tërësi.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.