Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me 25 vjet burg, të akuzuarin A.P. për veprat penale grabitje dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve sipas Kodit Penal.
Dënimi ndaj të akuzuarit do të ekzekutohet pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, duke i llogaritur kohën e kaluar në paraburgim nga data 3.04.2019 e tutje dhe dënim unik me gjobë në shumë prej 8.000 euro.
Më 20 mars të këtij viti, në rrugën “Bajram Gashi” në Lipjan, A.P, me qëllim të përftimit kundërligjor dhe përvetësimit të pasurisë së huaj, kishte hyrë në kazinonë “Matrix”, ku kishte nxjerrë pistoletën dhe ia kishte drejtuar tashmë të ndjerit F.A. duke i kërkuar paratë, ku ky i fundit ia dorëzon kuletën me të holla dhe shtrihet në tokë për t’i dhënë edhe paratë tjera.
A.P. më pas kishte shtënë dy herë me pistoletë në drejtim të tij duke e goditur në pjesën e shpinës me ç’rast i njëjti kishte ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa i pandehuri nga viktima kishte marrë 2.700 euro dhe ishte larguar në drejtim të panjohur.
Kundër këtij vendimi pala ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës./ Gazeta Sinjali/