Kanë kaluar gjashtë ditë nga koha kur në Kosovë ka arritur raporti përfundimtar i ekspertizës së Astrit Deharit nga Instituti mjeko-ligjor i Lozanës. Megjithëse u tha se raporti i Deharit do të përkthehet brenda tri ditësh, dyfishi i kësaj kohe ka kaluar dhe familja është ende në pritje të tij pasi Prokuroria ka refuzuar t’ua jap një kopje në gjuhën në të cilën është i shkruar, atë zvicërane.
Prokuroria Themelore e Prizrenit në një përgjigje për Gazetën Sinjali thotë se raporti për Astrit Deharin pritet të përkthehet dhe të publikohet brenda kësaj jave.
“Prokuroria Themelore në Prizren, ju njofton se brenda kësaj jave pritet të përkthehet dhe të publikohet raporti për rastin e Astrit Deharit. Andaj, për çdo eventualitet, do të njoftoheni me kohë”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë për Gazetën Sinjali.
Ndryshe, raporti për Deharin është pranuar përmes ambasadës së Zvicres në Kosovë.
Prindërit e Astrit Deharit, Avni e Xhemile Dehari nuk kanë arritur të sigurojnë raportin e ekspertizës për vdekjen e djalit të tyre, që erdhi nga Lozana e Zvicrës.
Avni Dehari tha para mediave se prokurorët nuk ia dhanë raportin me arsyetimin se ai do t’u dorëzohet atyre pasi të përkthehet.
Ish-aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, ka ndërruar jetë në nëntor të vitit 2016 në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, rrethanat në të cilat ka vdekur janë ende të pasqaruara për familjen dhe qytetarët./Gazeta Sinjali/