Një aksion i Policisë i zhvilluar mbrëmë në fshatin Mramor të Prishtinës ka rezultuar me arrestimin e personit që dyshohet të ketë kryer 10 vjedhje të rënda nga muaji qershor deri në këtë muaj. I dyshuari përveç vjedhjeve, dyshohet se në kundërshtim me ligjin ka poseduar edhe armë. I njëjti tashmë ndodhet nën ndalim policor, ndërkohë që Sinjali ka mësuar identitetin e tij.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se personi i arrestuar në lidhje me këtë rast është Muharrem Gashi, 49-vjeçar. Ai po dyshohet se vjedhjet e rënda i ka kryer në fshatin e tij, ku edhe banon.
Por përveç vjedhjeve të rënda, Muharremi dyshohet edhe për armëmbajtje pa leje.
Pjesë e aksionit policor ka qenë kontrolli i shtëpisë së të dyshuarit, i cili është realizuar me urdhër të Gjykatës, me ç’rast janë sekuestruar, një armë gjuetie si dhe dëshmi që ndërlidhen me rastet e vjedhjeve për të cilat i njëjti po dyshohet.
Pas përfundimit të aksionit, i dyshuari është shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë deklaratë para hetusve për veprat me të cilat ngarkohet.
Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin prej 48 orësh dhe dorëzimin e kallëzimit penal brenda afatit ligjor.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.