image Vodhën nëpër shtëpi, lokale e ordinanca, mbi 8 vjet burgim e mbi 2 mijë euro gjobë 4 personave në Ferizaj

Drejtësi

Vodhën nëpër shtëpi, lokale e ordinanca, mbi 8 vjet burgim e mbi 2 mijë euro gjobë 4 personave në Ferizaj

news image

Gjykata Themelore në Ferizaj – Dega Kaçanik, ka shpall aktgjykim dënues ndaj të pandehurit J.B. A.H., Ç.L. dhe A.L.. shtetas të Republikës së Kosovës, shkruan Gazeta Sinjali.

Të njëjti, janë të akuzuar sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj për shkak të veprës penale të kryer në bashkëkryerje dhe vazhdim vjedhje e rëndë nga neni 315 paragrafi 1, nën paragrafi 1.1 lidhur me nenin 77 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK); veprën penale vjedhje e rëndë në tentativë nga neni 315 paragrafi 1, nën paragrafi 1.1, lidhur me nenin 77 nenin 28 të KPRK-së, veprën penale të kryer në bashkëkryerje cenimi i paprekshmërisë së banesave dhe objekteve nga neni 197 paragrafi 1 të KPRK-së.

Gjyqtari individual i Divizionit Penal Burim Çaka, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, dëgjimit të palëve, administrimit të të gjitha provave, të pandehurin J.B. për veprat penale si në aktakuzë e shpalli fajtor dhe i shqiptoi dënim unik burgimi në kohëzgjatje prej 5 vjet dhe dënim me gjobë në shumë prej 1.200 euro.

Të pandehurin A.H. e shpalli fajtor dhe i shqiptoi dënim unik burgimi në kohëzgjatje prej një 1 viti e 30 ditëve dhe dënim me gjobë në shumë prej 400 euro.

Të pandehurin Ç.L. e gjykoi me dënim burgimi në kohëzgjatje prej 1 viti e 30 ditëve dhe dënim me gjobë në shumë prej 400 euro; dhe të pandehurin A.L. me dënim burgimi në kohëzgjatje prej 1 viti dhe dënim me gjobë në shumë prej 200 euro.

“Të pandehurit akuzohen se gjatë vitit 2020 – 2021, në vazhdimësi dhe në bashkëkryerje, kanë kryer 12 vjedhje të rënda, përkatësisht të pandehurit në vende dhe kohë të ndryshme kryesisht në shtëpi, lokale dhe ordinanca, pas marrëveshjeve paraprake në mes tyre, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore të kundërligjshme që vetës t’i sjellin dobi pasurore, me përdorimin e forcës dhe duke eliminuar pengesat, kanë arritur të vjedhin një televizor “Samsung”, cigare në vlerë prej 300 euro dhe 60 euro para të metalta, 30 telefona të markave të ndryshme në vlerë prej 2.000 euro; një çantë ngjyre e zezë me vlerë të pa përcaktuar nga i dëmtuari, një palë rroba (trenerka) dhe stoli ari në vlerë prej 100 euro; një shumë të hollave të metalta prej 40-50 euro; një shumë të hollave të metalta prej 10-15 euro;  1 sef  të metaltë në vlerë prej 50 euro, një gotë në të cilën kanë qenë të vendosura 265 euro; sasi të llojeve të ndryshme re cigareve dhe një sef të metaltë ku brenda kane qenë të vendosura shuma prej 500 euro; tetëdhjetë litra vaj ushqimor me vlerë prej 100 euro, 12 pako çaj nga një kg në vlerë prej 75 euro, detergjent për rroba ku nuk është përcaktuar sasia dhe vlera; një sopatë dhe një toster vlera e pa-përcaktuar; një komplet thika dhe një palë këpucë; një lap-top  me vlerë prej 200 euro”, njofton gjykata.

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 15 ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. Ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore të Ferizajt. /Gazeta Sinjali/