Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se këto dy javë duhet të shfrytëzohen për marrëveshje e jo për t’ia lënë fajin njëra – tjetrës.
“Qëndrimin LDK-së është thënë qartë gjatë ditëve që shkuan është konfirmuar dhe nga ne që jemi pjesë e organeve të LDK-së dhe nga vet kryetari që LDK-ja ka vullnet që të arrihet një marrëveshje me Vetëvendosjen. Tanimë që zyrtarisht e kemi mandatimin e kandidatit për kryeministër dhe koha është e përcaktuar me Kushtetutë të vendit ajo për të cilën bëj thirrje unë, është që dy javët e ardhshme të shfrytëzohen maksimalisht për arritjen e marrëveshjes e jo për fajësime ndaj njëra-tjetrës”, tha Osmani.
Tutje Osmani tha se veprimet e Kurtit me postimin e video-mesazheve nuk janë qasje e mirë për arritje të marrëveshjes për bashkëqeverisje.
“Unë nuk besoj që kjo qasje i ndihmon arritjes së marrëveshjes. Palët duhet të ulen me synimin për të gjetur një mes, një kompromis në atë se dy palët e kuptojnë se janë duke ndërtuar të ardhmen e Kosovës”, shtoi Osmani.
Sipas saj, së shpejti do t’i mbledhin organet e LDK-së dhe nuk e di se cili do të ishte vendimi final se a do ta votojnë një Qeveri të pakicës nga ana e VV-së.
Kreu i VV-së, Albin Kurti, sërish i është drejtuar kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa me një video-mesazh pasi, duke kërkuar nga ky i fundit që të ulen sërish për të finalizuar marrëveshjen për bashkëqeverisje./Gazeta Sinjali/