image Vjosa Osmani reagon ndaj Vuçiqit: Askush nuk mund ta prish partneritetin LDK-VV

Kosovë

Qeveria/ Vjosa Osmani reagon ndaj Vuçiqit: Askush nuk mund ta prish partneritetin LDK-VV

news image

Kandidatja për kryeministre nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar ndaj presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili kishte deklaruar se anulimi I votave të Serbisë ishte lojë e LDK-së, për të marrë pozitën e kryeministrit.

Osmani përmes një postimi në Facebook ka thënë se LDK është e angazhuar për qeverinë e ardhshme LDK-VV dhe kushdo që përpiqet në prishjen e një partneriteti të tillë do të përfundojë duarthatë.

“LDK nuk i punon askujt pas shpine e aq më pak nëpërmjet lojërave që janë produkt i mendjeve konspiracioniste siç është ajo e Vucicit. Të gjithë ne në LDK jemi të angazhuar që Qeveria e ardhshme LDK-VV të krijohet si partneritet mes të barabartëve dhe si marrëveshje ku mirëbesimi është alfa dhe omega e bashkëpunimit tonë. Vucic dhe disa të tjerë që po përpiqen e po investojnë në prishjen e një partneriteti të tillë do të përfundojnë duarthatë”, ka shkruar Osmani.

Tutje, ajo e ka thënë se Vuçiq ëshë duke bërë propagandë, por që sipas saj askush në Kosovë nuk duhet të bie pre e konspiracioneve të tij.

“Jo rastësisht Aleksandar Vucic ishte ministër i propagandës në kohën e Milloshevicit. Pikërisht këtë, propagandën pra, e bënë më së miri. Kështu, për fat të keq, ka arritur të mashtrojë disa diplomatë anekënd botës, të cilët i besojnë lotëve të tij të krokodilit dhe aktrimit të tij dramatik sa herë flitet për Kosovën. Por, askush në Kosovë nuk duhet të bie pre e konspiracioneve të Vucicit”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Kujtojmë se gjatë ditës së djeshme PZAP-i vendosi për anulimin e votave nga Serbia bazuar në ankesën e Koalicionit Nisma – Aleanca Kosova e Re – Partia e Drejtësisë./Gazeta Sinjali/