image Vizitat në Kalanë e Prizrenit shumë shpejt do të bëhen me teleferik, ja kur pritet të finalizohet projekti

Sociale

Vizitat në Kalanë e Prizrenit shumë shpejt do të bëhen me teleferik, ja kur pritet të finalizohet projekti

news image

Shumë shpejt banorët dhe turistët e Prizrenit do të kenë një teleferik i cili do të thjeshtojë vizitat në kalanë e qytetit. I kontaktuar nga ATSH, kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, dha detaje mbi marrëveshjen e nënshkruar dy ditë më parë mes komunës, Ministrisë së Infrastrukturës dhe agjencisë zvicerane Swiss Contact.

Sipas kryetarit të Prizrenit, projekti do të ketë një kosto prej 5 milionë eurosh.

“Parashikohet që teleferiku të jetë me shina, me dy kabina dhe pritet që të përfundojë zbatimi i projektit deri në fund të vitit 2024”, tha Totaj për ATSH.

Pas përfundimit të fizibilitetit, agjencisë zvicerane Swiss Contact i hapet rruga për hartimin e një plani të detajuar të zbatimit në terren si dhe për financimin. Më pas ministria e Infrastrukturës do të sigurojë mjetet për financimin e teleferikut ndërsa Komuna Prizren do të sigurojë lejet e nevojshme për të filluar zbatimin e projektit.

Sipas kryekomunarit Totaj, në Kalanë e Prizrenit do të ketë edhe një nyjë gastronomie, gjë që do ta bëjë edhe më tërheqëse për vizitorët, këtë pikë turistike.

Pozicioni i saj topografik, dominues mbi qytetin, peizazhi natyror mjaft tërheqës dhe konfigurimi arkitektonik, e bëjnë Kalanë e Prizrenit me vlera të padiskutueshme arkeologjike, historike dhe turistike.

/GazetaSinjali/