Zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, sot njoftoi se kryeministri Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë ftuar për një takim “urgjent” në Bruksel para datës 21 nëntor, kur edhe përfundon afati i qortimeve ndaj qytetarëve serbë që ngasin vetura me targa KM.
Ndonëse nga Qeveria e Kosovës ende nuk është konfirmuar nëse është pranuar ftesa e BE-së, mediat në Serbi kanë thënë se Vuçiqi e ka pranuar ftesën e BE-së, dhe se do të takohet me Kurtin në Bruksel të dielën ose të hënën e 21 nëntorit, në ditën kur nis gjobitja e shoferëve me targa ilegale KM.
Siç kishte shkruar “Novosti”, thuhej se “takimi do të organizohet të dielën mbrëma ose të hënën në mëngjes, dhe tema do të jetë tensioni i fundit në Kosovë” i shkaktuar nga “veprimet e njëanshme të qeverisë Kurti”.
E duket se Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq po e paralajmëron një takim të tillë, duke provokuar me anë të një postimi në rrjetet sociale.
Vuçiq aktualisht po qëndron në Athinë, aty ku do ta takojë kryeministrin grek, Kyriakos Mitsotakis.
E teksa ndodhet në atë vizitë, presidenti serb ka provokuar me një postim, duke thënë se vizita në Athinë do të jetë më e këndshme se ajo tjetra që do të vie pas.
“Sapo arrita në Athinë për një takim të rëndësishëm me një mik të sinqertë të Serbisë, Kyriakos Mitsotakis. Pres që fuqishëm të përmirësojmë marrëdhëniet tona politike dhe ekonomike. Është pak personale, por vizita në Athinë është gjithsesi më e këndshme se tjetra që vjen pas”, ka shkruar Vuçiq.
Zgjidhjen e këtij ngërçi e ka paralajmëruar edhe kryeministri Albin Kurti gjatë ditës së sotme në Estoni, duke thënë se janë duke u zhvilluar negociata për këtë çështje.