Rreth 7,000 euro i ka kushtuar buxhetit të shtetit vizita e presidentes Vjosa Osmani dhe tre anëtarëve të kabinetit të saj në Tajlandë.
Prej tyre, 5808.97 euro janë shpenzuar për bileta të udhëtimit, ndërsa 890.99 euro për akomodim.
Të njëjtit, shumë më të madhe kanë shpenzuar gjatë vizitës zyrtare në Singapor.
Presidentja Osmani, bashkë me tre anëtarët e kabinetit të saj vetëm për bileta udhëtimi ka shpenzuar 8804.96 euro.
Front Online, bazuar në Ligjin për Qasje në Dokumente Publike, i ka siguruar të gjitha shpenzimet në këto dy shtete që ka bërë Osmani me disa anëtarë të kabinetit.
Por, këto të dhëna janë dërguar tek pas më shumë se një muaji, pas kërkesës që është bërë në Zyrën e Presidentes më 14 korrik 2022.
Që nga kjo datë e deri më 22 gusht nga kjo zyrë nuk kanë kthyer asnjë përgjigje të vetme.
Ani pse, në Ligjin për Qasje në Dokumente Publike në Nenin 12 pika 1. thuhet se institucioni publik detyrohet që brenda shtatë ditëve prej kohës së regjistrimit të kërkesës të nxjerrë vendim për lejimin e qasjes në dokumentin e kërkuar ose të nxjerrë vendim të arsyetuar për refuzimin e plotë apo të pjesshëm dhe informon kërkuesin për të drejtën që ai ka për të kërkuar rishqyrtimin e kërkesës si dhe ku të paraqitet kërkesa e tillë.
Kurse, në pikën 3 të këtij neni thuhet se: Institucioni publik mund të vazhdojë afatin e përcaktuar nga paragrafi 1. I këtij neni për marrjen e vendimit për qasje në dokumente publike më së shumti për 15 ditë shtesë, në qoftë se:
3.1. dokumenti duhet të kërkohet brenda një numri të madh të dokumenteve apo jashtë institucionit publik ose
3.2. me një kërkesë kërkohen një numër i madh i dokumenteve publike, nga e njëjta palë.
Institucioni publik njofton kërkuesin me ecurinë dhe arsyet që kanë shkaktuar shtyrjen e afatit menjëherë, por jo më vonë se 8 ditë nga pranimi i kërkesës.
Si shkak i mostransparencës nga Zyra e Presidencës dhe mbajtjes fshehtë dhe mos kthimit të asnjë përgjigje të vetme pavarësisht që ligji e përcakton, Front Online ka bërë ankesë në Agjencinë për Informim dhe Privatësi.
Këta të fundit, më 18 gusht në përgjigjen e dhënë kanë njoftuar se kanë pranuar ankesën e portalit.
E, pikërisht pas kësaj menjëherë të hënën e 22 gushtit Zyra e Presidencës në web faqen e saj zyrtare ka publikuar shpenzimet e Osmanit dhe të tjerëve për gjashtë mujorin e parë të këtij viti.
Ndërsa, në portalin ka kthyer përgjigje edhe për shpenzimet që janë bërë në shtetin e Tajlandës dhe Singaporit.
Por, të gjitha këto shpenzime janë përmbledhur në një shpenzim të vetëm, pa specifikuar se kush sa ka shpenzuar.