Në ditën kur, sipas vendimit të qeverisë, do të duhej të ishte i mbyllur, supermarketi “Viva Fresh Store” në lagjen “Dardania” në Gjilan, përveç se ka punuar, ka obliguar punëtorët që të punojnë jashtë orarit, raporton Gazeta Sinjali.
Ndërkaq, ata që refuzuan një gjë të tillë u pushuan nga puna.
Kështu ka bërë të ditur një sinjalizues i Gazetës Sinjali, i cili thotë se ky supermarket ua ka ndaluar punëtorëve të marrin pushimin javor këtë fundjavë, si dhe ka detyruar që ndërrimi i dytë të punojë 12 orë në ditë.
“Disa punëtorë të cilët kanë refuzu me punu me orar shtesë, ju kanë thënë që nga nesër të mos vijnë në punë. Kjo ka ndodhë në Gjilan te ‘Viva Fresh’ që ndodhet te posta e vogël në lagjen ‘Dardania'”, ka thënë ai.
Koordinatori i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë për rajonin e Gjilanit, Sabedin Kadriu, tha për Gazetën Sinjali se nuk ka informacion se ky supermarket ka qenë i hapur.
Ai u ankua se ky rajon ka mungesë të inspektorëve sanitarë.
Sipas tij, ky rajon i cili përfshin shtatë komuna të vendit, ka vetëm dy inspektorë sanitarë, me të cilët thotë se ka qenë gjithë ditën në terren.
Gazeta Sinjali ka provuar disa herë që të kontaktojë me këtë supermarket, por numri i publikuar në faqen e tyre në Facebook ka qenë i paqasshëm./Gazeta Sinjali/