image Viti i ri akademik në Shqipëri/ Vaksinohu ose “eja vitin tjetër”

Shqipëri

Viti i ri akademik në Shqipëri/ Vaksinohu ose “eja vitin tjetër”

news image

Deklaratat nga konferenca e rektorëve morën një tjetër rrjedhë dy ditë nga nisja e vitit të ri akademik në universitet. Njoftimet dhe qëndrimet zyrtare të institucioneve arsimore, ndonëse quhen autonome, u publikuan njësoj si vitin e shkuar, me shumë vonesë dhe paorganzimin e duhur për t’u dhënë kohë studentëve për të marrë edhe ata veprimet e tyre.

Gjithsesi, në auditore do të hyjnë vetëm të vaksinuarit, ndërsa për të pabindurit rekomandohen dy rrugë; ose vaksina ose shtyrja e vitit.

Mësimi online nuk do të aplikohet. Sipas rektorëve, brezat nuk mund të diplomohen online, aq më tepër ata të cilët studiojnë shkenca ekzakte.

Ditën e hënë, hyrja e parë në fakultete do të ruhet me ligj dhe punonjës të sigurimit, për të lejuar pjesëmarrjen vetëm të studentëve të vaksinuar ose me dokumentacion përkatës, raporton CNN.A2.

Numri i studentëve të vaksinuar është relativisht i ulët. Nga shifrat kontradiktore të dhëna nga burime të ndryshme, mësohet se në kryeqytet janë vaksinuar afro 20% e studentëve, ndërsa në fakultetet e rretheve përqindja është shumë herë më e ulët.

Më së shumti, studentët kanë preferuar vaksinat e njohura nga Bashkimi Evropian. Paralelisht me ndërgjegjësimin e studentëve nga stafet pedagogjike, pranë fakulteteve kanë nisur edhe diskutimet me mjekët për çdo informacion shtesë që do të duan studentët e pabindur ende për të bërë vaksinën.

Për dy vite me radhë, studentët morën mësim të cunguar nëpërmjet platformave online. Ky do të jetë viti i tretë i vështirë për arsimimin e profesionistëve të rinj në kohë pandemie./Gazeta Sinjali/