Një biznesmen shqiptar me banim në Miami, i kërkuar nga drejtësia shqiptare për dyshime për pastrim parash të përfituara nga trafiku i drogës, akuzohet gjithashtu se ka falsifikuar dokumentet e pronësisë së tokës ku parashikohet të ndërtohet resorti shumë miliardë dollarësh i mbështetur nga Jared Kushner.
Kështu shkruan agjencia ndërkombëtare Reuters, e cila thotë se ka shqyrtuar dosjet hetimore të Prokurorisë së Posaçme (SPAK).
Bëhet fjalë për biznesmenin Artur Shehu, i cili, sipas SPAK, dyshohet se së bashku me bashkëpunëtorë ka trafikuar kokainë nga Amerika e Jugut drejt porteve europiane dhe ka pastruar të ardhurat përmes investimeve në pasuri të paluajtshme, duke përdorur dokumente të falsifikuara pronësie.
Avokati i Shehut, Kujtim Cakrani, i mohoi kategorikisht akuzat, duke deklaruar se klienti i tij nuk është as trafikant droge dhe as falsifikues dokumentesh. Ai konfirmoi se SPAK ka lëshuar një urdhër arresti ndaj Shehut për pastrim parash, por theksoi se biznesmeni i konsideron akuzat të pavërteta.
Reuters raporton se në prill të këtij viti Shehu i shiti tokën bregdetare ku do të ndërtohet resorti kompanisë Albania Land Development, në pronësi të zhvilluesve të projektit Sazan Real Estate Development dhe investitorëve të tjerë të lidhur me Jared Kushner.

Në dokumentet e SPAK thuhet se ekzistojnë “dyshime të arsyeshme” se pronat janë përfituar përmes përdorimit të dokumenteve të falsifikuara.
Megjithatë, dosja nuk ngre asnjë akuzë ndaj Jared Kushner, kompanisë Sazan Real Estate Development, Albania Land Development apo investitorëve të tjerë të projektit. Reuters thekson se nuk ka gjetur prova që investitorët të kenë qenë në dijeni të dyshimeve ndaj Shehut në momentin e blerjes së tokës.
Një zëdhënës i Sazan Real Estate Development deklaroi për Reuters se kompania vazhdon të besojë se blerja e tokës është kryer në mënyrë të ligjshme dhe në përputhje me procedurat në fuqi, duke shtuar se do të bashkëpunojë me çdo proces ligjor.
Banorët e Zvërnecit kundërshtojnë pronësinë
Projekti i resortit në zonën e Zvërnecit është përballur prej kohësh me kundërshtime. Sipas Reuters, banorë të zonës pretendojnë se janë pronarët e ligjshëm të tokës dhe kanë zhvilluar procese gjyqësore me Artur Shehun për më shumë se një dekadë.
Muajin e kaluar, disa prej tyre i paraqitën Reuters dokumente pronësie dhe regjistra tatimorë që, sipas tyre, provojnë të drejtën mbi pronën. Avokati i tyre, Kostandin Beko, tha se çështja vijon të jetë në gjykatë dhe se do të kërkohet pezullimi i projektit.
Qeveria: Projekti do të vazhdojë
Qeveria shqiptare ka mbështetur publikisht projektin turistik. Kryeministri Edi Rama deklaroi muajin e kaluar për Reuters se bëhet fjalë për një projekt “të bukur”, i cili do të realizohet pavarësisht kundërshtimeve.
Një zëdhënës i qeverisë tha se ekzekutivi nuk ndërhyn në transaksionet private, por shtoi se projekti po zhvillohet në përputhje me ligjet shqiptare dhe ato të Bashkimit Europian.
Dosja e SPAK
Reuters shkruan se dokumentet hetimore të SPAK përbëhen nga rreth 200 faqe dhe mbajnë datën 12 qershor 2026. Po atë ditë, SPAK njoftoi publikisht lëshimin e 20 urdhër-arresteve për trafik ndërkombëtar droge dhe pastrim parash.
Sipas dosjes, Shehu e ka shitur tokën për rreth 110 milionë euro, shumë që, sipas SPAK, është bllokuar në llogarinë e noterit, duke penguar transferimin e saj te biznesmeni.
Avokati Kujtim Cakrani deklaroi se familja e Artur Shehut e zotëron tokën që prej periudhës së Perandorisë Osmane dhe se shitja është kryer në mënyrë të ligjshme. Ai shtoi se klienti i tij emigroi në Shtetet e Bashkuara në vitin 1998, pasi, sipas tij, vëllai dhe xhaxhai i Shehut u vranë nga grupe kriminale. Reuters thekson se nuk ka mundur ta verifikojë në mënyrë të pavarur këtë pretendim.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!