Policia e Tiranës ka finalizuar një operacion kundër organizimit të lojërave të fatit dhe basteve të paligjshme, ku dy persona janë arrestuar, katër të tjerë janë proceduar penalisht në gjendje të lirë, ndërsa dy shtetas janë shpallur në kërkim.
Operacioni i koduar “Last Bet” u zhvillua në tre ambiente të ndryshme në Tiranë, konkretisht në rrugën “Aleks Çaçi”, në zonën e Bathores dhe në rrugën “Irfan Tomini”, ku dyshohet se zhvilloheshin aktivitete të paligjshme të lojërave të fatit.
Gjatë kontrolleve, uniformat blu sekuestruan tre makineta elektronike, një tavolinë pokeri, çipsa, letra bixhozi dhe pesë celularë, të cilët dyshohet se përdoreshin për organizimin e lojërave të fatit dhe basteve sportive.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 1 arrestuan në flagrancë shtetasin G. Zh., 22 vjeç, ndërsa shpallën në kërkim M. Zh., 50 vjeç, dhe A. Zh., 25 vjeç. Sipas policisë, këta persona dyshohet se organizonin lojëra fati në një ambient me qira në rrugën “Aleks Çaçi”, ku u gjetën dy makineta, një tavolinë pokeri, çipsa dhe letra bixhozi.
Ndërkohë, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 5 arrestuan shtetasin G. S. (J.), 39 vjeç, pasi në lokalin që administronte në Bathore u gjet një makinetë elektronike dhe një celular që dyshohet se përdoreshin për veprimtari të paligjshme të lojërave të fatit.
Po ashtu, Seksioni për Hetimin e Krimeve Kibernetike referoi materialet në Prokurori për katër shtetas, S. G., 21 vjeç, O. C., 19 vjeç, R. H., 27 vjeç dhe F. D., 67 vjeç.
Sipas policisë, gjatë kontrollit në një lokal në rrugën “Irfan Tomini”, këtyre personave iu gjetën celularë që dyshohet se përdoreshin për organizimin e basteve sportive.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme hetimore.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!