image Viti akademik për studentët e vitit të parë mund të fillojë me 15 tetor

Arsim

Viti akademik për studentët e vitit të parë mund të fillojë me 15 tetor

news image

Viti i ri akademik nuk do të fillojë me 1 tetor për studentët e vitit të parë, por vetëm për studentët e viteve vijuese, për shkak se ende nuk ka përfunduar procedura e regjistrimit të studentëve të rinj në Universitetit e Prishtinës, transmeton Gazeta Sinjali.

Ndonëse ende nuk ka një datë zyrtare, prorektori për mësim dhe çështje të studentëve në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, Hysen Bytyqi, thotë se mësimi për studentët e vitit të parë mund të fillojë nga 15 tetori.

“Me datë 1 tetor përsëri fillohet nëpër njësi akademike në vitet tjera, pra për vitin e parë jo, bachelor gjithsesi nuk do të ketë vit të parë me 1 tetor edhe për master e doktoratë. Deri më tani nuk ka ndodhur asgjë përveç një kërkese të Konferencës së Rektorëve të cilët kanë kërkuar apo të cilët kanë biseduar që viti akademik të fillojë me datën 15 tetor. Unë mendoj që me këtë datë mund të fillohet, ajo çka vlen të theksohet është se studentët e regjistruar nuk do të humbin asnjë orë, sepse njësitë akademike edhe me menaxhmentin do të zhvillojnë oraret e tyre në mënyrë të tillë që asnjë orë të mos humbet”, thotë ai.

Bytyqi thotë se mësimi në institucionet e arsimit të lartë për shkak të pandemisë do të zhvillohet në mënyrë të kombinuar, kështu që provimet do të mbahen në ambientet e fakulteteve ndërsa ligjëratat online.

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” konkursin për pranimin e studentëve të rinj e ka hapur me 21 shtator dhe do të qëndrojë ashtu deri me datën 30, ndërsa testet pranuese do të mbahen nga 2 deri me 6 tetor.

/Gazeta Sinjali/