Regjisori, Visar Morina është fituesi i çmimit të magazinës e ‘Cineuropa’, në kuadër të Festivalit të Sarajevës.
‘Cineuropa’ është magazinë e profesionistëve të kinemasë dhe filmit evropian, dhe ky çmim i jepet një filmi, që përveç cilësive të padiskutueshme artistike, promovon edhe idenë e dialogut dhe integrimit evropian.
‘Exil’-i kishte premierën botërore në festivalin e madh të Sundance në SHBA, dhe atë evropiane në Berlinale në shkurt të këtij viti, ndërsa shfaqje në Sarajevë ishte premiera rajonale e filmit nga regjisori kosovar Visar Morina.
Filmi rrëfen tregimin e Xhaferit, një inxhinier i kimisë me origjinë nga Kosova, i cili ndjehet i diskriminuar dhe i ngacmuar në vendin e punës, gjë që e zhytë atë në krizë të identitetit. /Gazeta Sinjali/