image Viktimizohet Petkoviq: Ky është apel i fundit për Perëndimin, nuk do të durojmë më dhunën e Kurtit

Politikë

Viktimizohet Petkoviq: Ky është apel i fundit për Perëndimin, nuk do të durojmë më dhunën e Kurtit

news image

Drejtori i të ashtuquajturës zyre serbe për Kosovën, Petar Petkoviq, tha se dje “të gjithë kanë mundur të shohin sulmin e sinkronizuar të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti ndaj serbëve në veri dhe në jug të Ibrit”.

“Ata në Prishtinë nuk hezitojnë për asgjë, kanë pushtuar Hoçën e Madhe sepse pronari i verarisë Petroviq nuk ka paguar njëfarë tatimi dhe akcize, që nga pandemia e koronavirusit ai nuk e ka shitur atë verë, e ka mbajtur në bodrum. Edhe pse ai u përpoq të merret vesh me ta, ata nuk donin ta dëgjonin, përkundrazi i konfiskuan 42.000 litra verë nga ai. Mënyra se si e bënë këtë ishte e vrazhdë, ata derdhën 25 lloje të verës në një cisternë”, ka pretenduar Petkoviq.

Ai thotë se “askush nuk mund ta kuptojë se çfarë po bën Kurti”.

“Kjo është thirrja jonë e fundit për komunitetin ndërkombëtar, sepse populli nuk do të durojë më mizorinë e Albin Kurtit”, si zakonisht Petkoviq përdorë kërcënimet boshe për konsum politik të brendshëm.

Petkoviq ka pretenduar se “hyrja Policisë së Kosovës në oborrin e çerdhes dhe në Leposaviq ka qenë një provokim i pastër”.

“Ata këtë e bëjnë me qëllim, duan të shkaktojnë incidente, të shkaktojnë një krizë të re, të trembin njerëzit. Arsyeja e kësaj ka qenë një grabitje dhe më vonë doli se vetura ka ardhur nga jugu dhe kur nuk kanë mundur ta grabitin bankën, ajo u nis për në jug të Mitrovicës. Ideja ishte që të inskenohej e gjithë ngjarja për të filluar me veprimet që ndodhën gjatë mbrëmjes”, “shpjegon” Petkoviq.

/GazetaSinjali/