Sot me rastin e 12 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, në Gjakovë është vendosur gurthemeli për ndërtimin e lapidarit në nderim të Brigadës 137 “Gjakova” në kodrën e Çabratit.
Në ketë ceremoni mori pjesë edhe kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, i cili tha se ndjehet krenar që ka qenë pjesë e kësaj brigade, ndërsa e pranoi se ky memorial është vonuar.
“E kemi një shtet të pavarur që duhet ta rregullojmë çdo ditë, sot të gjithë duhet të jemi të lumtur sepse për të arritur këtu është një mund i shumë e shumë dekadave. Një copë e imja do të ndihet gjithmonë krenar që kam qenë veteran i 137 dhe luftëtar i 137. Urime 137-it, urime të gjithë veteranëve familjeve dhe familjeve të dëshmoreve“, tha ndër të tjera i pari i Gjakovës.
Ndërsa Hekuran Hoda, ish-pjesëtar i Brigadës 137, tregoi detajet e memorialit që do të ndërtohet në Çabrat të Gjakovës për Brigadën 137.
Përmendorja do të jetë e gjatë 25 metra dhe gjithashtu do të jetë një punim ku shfaqen një nënë me dy fëmijë, me qëllim për të treguar sakrificën e saj për t’i rritur dhe më pas për t’ia dhënë atdheut, njëjtë siç kanë vepruar nënat shqiptare me të rënët e kësaj brigade.
Ndër të tjera, Hoda deklaroi se brenda kompleksit memorial do të ketë edhe një amfiteatër, një bibliotekë dhe një muze të vogël si dhe hapësirën për një kafiteri. Ky projekt është realizuar nga arkitekti nga Gjakova, Arben Duraku, arkitekt nga Gjakova.
“Ky projekt është i ndërtuar nga arkitekti Arben Duraku një përmendore e lartë 25 metra, është një nënë ku i ka dy fëmije ku i rrit dhe ia fal atdheut. Kurse brenda kompleksit do të jetë një amfiteatër dhe një bibliotekë, një muze i vogël dhe një kafiteri kur kemi me raste do të shërbehen. Aty është një vend për varreza të dëshmoreve mirëpo kjo do të arrihet së bashku me familjet e dëshmoreve, se ku ata do të vendosin për t’i vendosur trupat e dëshmoreve dhe të heronjve”, tha Hoda.
Veç kësaj, Kryetari Gjini së bashku me bashkëluftëtarët bënë homazhe edhe te lapidari “Shokët e Lirisë” në qendër të Gjakovës./GazetaSinjali/