image Veturat me targa të Serbisë dhe pa stikera vazhdojnë të qarkullojnë në rrugët e Kosovës

Sinjalizime

Veturat me targa të Serbisë dhe pa stikera vazhdojnë të qarkullojnë në rrugët e Kosovës

news image

Kanë kaluar një javë prej kur ka filluar zbatimi i pikës së dytë të marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të arritur në Bruksel, për çështjen e targave, shkruan Gazeta Sinjali.

Ndonëse kjo pikë parasheh që Kosova dhe Serbia do të mbulojnë emblemat shtetërore të targave të njëra-tjetrës, një gjë e tillë po del të jetë problematike në Kosovë.

Kjo sepse vetëm gjatë ditës së sotme sinjalizuesit e Gazetës Sinjali kanë dërguar fotografi, nga pjesë të ndryshme të Kosovës, ku shihet se veturat me targa serbe po qarkullojnë pa mbuluar emblemën shtetërore në targat e veturave të tyre, e ndonjëherë edhe stikerat e përdorura për t’u vendosur në targa nuk bëjnë punë.

Një rast i tillë ka ndodhur dje në Prishtinë në afërsi të Albi Mall, ku një veture me targa serbe “nuk i ka bërë punë” stikeri i përdorur për të mbuluar emblemën shtetërore.

Kjo sepse në fotografitë e dërguara nga ky sinjalizues shihet shumë qartë flamuri i Serbisë në ato targa.

Kurse, një rast tjetër ka ndodhur të shtunën në Fushë Kosovë, ku dhe një veturë tjetër me targa të Serbisë është parë duke qarkulluar në rrugët e Kosovës, pa përdorur stikerat që parashihen në marrëveshjen e Brukselit.

Sinjali sot në mëngjes publikoi një foto të një veture me targa serbe, që po qarkullonte në rrugët e Prishtinës dhe nuk kishte vendosur stikerat mbi emblemën shtetërore.

Sinjali ka kontaktuar me Policinë e Kosovës për të marrë më shumë informata rreth gjobave të shqiptuara që nga fillimi i aplikimit të kësaj pike të marrëveshjes dhe është në pritje të përgjigjes së tyre.

Më poshtë gjeni pikat e marrëveshjes që u nënshkruan në mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

-Më 2 tetor Njësia Speciale që aktualisht është në pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjakë, do të largohen dhe në të njëjtën kohë do të largohen edhe bllokimi i rrugëve, duke filluar nga ora 08:00, por jo më vonë se ora 16:00. KFOR-i do të vendoset në Jarinje dhe Bërnjakë, para fillimit të tërheqjes së sinkronizuar të Njësive Speciale dhe barrikadave, dhe do të qëndrojnë atje afërsisht dy javë për të ofruar ambient të qetë dhe të sigurt, si dhe për të mundësuar lëvizjen e lirë.

– Më datën 4 tetor, në ora 08 të mëngjesit do të fillojë zbatimi i përkohshëm i sistemit të afisheve me të cilat si Kosova ashtu edhe Serbia do të mbulojnë elementet shtetërore të targave të njëra tjetrës.

– Do të krijohet një grup punues i përbërë nga përfaqësues të BE-së, Beogradit dhe Prishtinës, të kryesuar nga BE-ja do të formohet për të gjetur një zgjidhje përfundimtare rreth targave, bazuar në standardet dhe praktikat e BE-së. Takimi i parë i këtij grupi do të mbahet më 21 tetor 2021 në Bruksel. Brenda gjashtë muajve nga takimi i parë, grupi punues do të paraqet të gjeturat për zgjidhjen përfundimtare para përfaqësuesve të nivelit më të lartë në procesin e Dialogut. 

/Gazeta Sinjali/