Kryetar i Partisë Liberale Egjiptiane (PLE), Veton Berisha, i ka reaguar Ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, lidhur me deklaratën e saj se “nga shtatori femijët shqipëtar do të kenë në duar abetaren e re të përbashkët Kosovë- Shqipëri unike dhe cilësore”.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Berisha e ka pyetur Nagavcin nëse e di se nga abetarja mësojnë edhe egjiptianët dhe se nëse ministrja e ka kuptuar se në sallën ku ajo mbajti fjalimin kishte edhe pjesëtarë të komuniteteve tjera.
“A e di ministrja Nagavci se nga abetarja mësojmë edhe ne Egjiptianët edhe në Kosovë edhe Shqipëri!? A e kupton ministrja e arsimit se aty në sallë kishte edhe pjestar të komuniteteve të tjera që ishin pjesë e festës së abetarës?
Së dyti, një mësuese e shkollës fillore “Xhemajl Kada” në Pejë e quajtur Gjylfidane Morina duke ju bërë “nderë” fëmijëve të këtyre komuniteteve i vendos në një vend krejt të veqant prej nxënesve Shqipëtar dhe larg nga aktiviteti që po zhvillohej me arsyetimin se këtë po e dëshirojnë fëmijët ndërsa fëmijët e konfirmonin të kundërten!”, ka shkruar Berisha.
Ai ka përmendur edhe se si asnjë fëmijë i komuniteteve nuk ishte pjesë e aktiviteteve të realizuara nga ky manifestim.
“Së treti, asnjë fëmijë i komuniteteve nuk ishte pjesë e aktiviteteve të realizuara nga ky manifestim, të paktën një shkronjë ta mbante në duar”, thuhet në postimin e Berishës.