image Kurti fajëson qeveritë e kaluara për rrymë: S’kishin se si ta linin Kosovën ndryshe pos në terr

Politikë

Kurti fajëson qeveritë e kaluara për rrymë: S’kishin se si ta linin Kosovën ndryshe pos në terr

news image

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mbajtur fjalim në Mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së, ku foli edhe për krizën energjetike në vend. Për këtë ai ia hodhi fajin qeverive të kaluara, duke u shprehur se e kanë lënë Kosovën në terr.

Kurti tha se e kanë gjetur shtetin përtoke që gjakonte në të gjitha anët “e tërësisht i papërgatitur për sfidat e shekullit 21”.

Ai tha se në kulmin e problemeve kishim edhe luftimin e vazhdueshëm të pandemisë. Ndërsa, për energjinë elektrike tha se ndjehet i frustruar njësoj sikur qytetarët.

“Në kohën që po e mbajmë këtë mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm po përballemi edhe me një sfidë tjetër një krizë energjetike të shkaktuar sa nga faktorë të jashtëm jashtë kontrollit tonë po aq nga mugesa e vizionit për të marrë vendime për të ardhmen nga ata që qeverisën për dy dekada”.

Kryeministri tha se derisa kërkesa për energji është rritur çdo vit, prodhimi nga KEK-u ka mbetur i njëjtë e ndërkohë sipas tij ka pasur edhe vjedhje edhe vendime te gabuara që e kanë sjellë sektorin energjetik buzë kolapsit.

“Unë e kuptoj frustrimin e qytetarëve me mungesën e energjisë elektrike, më besoni se edhe unë jam i frustrutar, por le të jetë ky një rikujtim për gjendjen në të cilën ata që qeverisën për dy dekada na lanë shtetin sepse si njerëz të territ që ishin që punët i bënin natën e larg syrit të qytetarëve ata s’kishin se si ta lenin Kosovën ndryshe pos në terr, por ajo epokë ka përfunduar. Rrugëtimi që kemi filluar së bashku është me plot sfida por do të na dërgojë në ditë më të mira”, ka thënë ndër të tjera Kurti.

Ai tha se vitin që vjen do të dalin me propozime afatgjate për zgjidhjen e problemit të energjisë elektrike./GazetaSinjali/