image Vetëvendosje në mbështetje të marshit “Marshojmë s’festojmë” më 8 mars

Sociale

Vetëvendosje në mbështetje të marshit “Marshojmë s’festojmë” më 8 mars

news image

Lëvizja Vetëvendosje thotë se më 8 mars, ditë e hënë, aktiviste e aktivistë do të dalin në marshin “Marshojmë s’festojmë”. Ky marsh protestues  nis nesër në sheshin “Zahir Pajaziti”, duke filluar nga ora 12:00.

“Ne, si Lëvizje Vetëvendosje jemi në mbështetje të plotë të marshit dhe të hënën do të jemi në shesh përkrah aktivisteve e aktivistëve të shoqërisë civile. Mendësia patriarkale ende vazhdon ta mbajë gjallë femicidin, e kjo bën që shumë gra të privohen nga jeta. Prandaj edhe marshimi nën thirrjen “Kundër patriarkatit që vret” duhet të na bashkojë të gjithëve në shesh për drejtësi edhe barazi gjinore e shoqërore”, njofton VV-ja.

Vetëvendosje thotë se tashmë është dëshmuar se organizimi shoqëror për të jetësuar synimet për barazi e drejtësi është e vetmja alternativë.

“Andaj, si çdo ditë edhe në ditën ndërkombëtare të grave ne jemi në solidaritet të plotë me secilin organizim që kryefjalë e ka solidaritetin gjinor sepse jemi të ndërgjegjshëm që ky solidaritet është shpresa e vetme nëpërmjet së cilës arrihet te barazia, edhe gjinore. Ne i bëjmë thirrje anëtarësisë sonë dhe të gjithë qytetarëve pa dallim, që duke i respektuar masat anti-Covid, të marshojmë kundër patriarkatit që vret, e për barazi”, njofton VV-ja.  /Gazeta Sinjali/