Lëvizja Vetëvendosje përmes një postimi ka thënë se krenohen me qeverisjen në 66 ditët e para.
Kjo parti po krenohet me sigurimin e 178 mijë e 230 vaksinave kundër COVID-19, të cilat i mori si donacion.
“Për 66 ditë qeverisje: 178 mijë e 230 vaksina të siguruara dhe 60 mijë e 929 qytetarë të vaksinuar. Derisa numri i rasteve të infektimit po bie nga dita në ditë, pandemia ende nuk ka mbaruar. Andaj, kujdesi që na ka përcjellë këtë kohë duhet të na përcjellë edhe më tutje: ta mbajmë maskën, ta ruajmë distancën fizike dhe të kujdesemi për higjienën në mënyrë që ta kufizojmë përhapjen e virusit dhe të kontribuojmë në parandalimin e rrezikut të shkaktuar nga Covid-19”, thuhet në postimin e LVV-së.
Kosova është vendi i vetëm në rajon që ende nuk ka nënshkruar kontratë me ndonjë kompani prodhuese, për sigurimin e vaksinave. Vaksinimi po bëhet me dozat e dhuruara nga OBSH-ja dhe Bashkimi Evropian.
Ministria e Shëndetësisë mbrëmë njoftoi se në Kosovë kanë arritur 100.620 doza të vaksinës Pfizer/BioNTech.
Dy javë më parë, Kosova po ashtu ka pranuar 38.400 doza të vaksinës nga COVAX-i si dhe 15.000 doza të tjera, donacion nga Bashkimi Evropian.
Në Kosovë, procesi i vaksinimit kundër COVID-19 ka nisur në fund të marsit, pas pranimit të 24.000 dozave të vaksinës së kompanisë AstraZeneca. Fillimisht janë vaksinuar punëtorët shëndetësorë, personat mbi 80 vjeç dhe ata me sëmundje kronike.
Aktualisht po vazhdon faza e dytë e procesit të imunizimit, ku janë duke u vaksinuar grupmosha 65-79 vjeç.
Qeveria Kurti ka thënë se kanë për synim që deri në fund të vitit të vaksinojnë 60 për qind të popullatës.