image Vetëm LDK-ja i shkon në takim Odës së Afarizmit - Sinjali

Vetëm LDK-ja i shkon në takim Odës së Afarizmit

news image

Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK), ka ftuar sërish në një takim shefat e Grupeve Parlamentare me qëllim të diskutimit lidhur me Pakon e Rimëkëmbjes Ekonomike dhe domosdoshmërinë e implementimit të rekomandimeve të bizneseve në kuadër të pakos së Rimëkëmbjes me qëllim të daljes në ndihmë sadopak sektorit privat në vend.

Kësaj ftesë i është përgjigjur pozitivisht vetëm Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, me përfaqësues Ilir Feratin.

Me Feratin nga kjo odë bëjnë të ditur se kanë diskutuar për problemet e ndryshme me të cilat po ballafaqohen bizneset, duke i kushtuar rëndësi të veҫantë lirimit nga të gjitha tatimet dhe taksat për prodhuesit vendorë, përjashtuar TVSH-në nga data 1 qershor deri më 31 dhjetor, lirimit të plotë të lëndës për prodhues, duke respektuar normativat dhe lënda e parë të lirohet sikurse kur blihet jashtë vendit, ashtu edhe brenda, duke mos u detyruar të paguajnë TVSH në rast të furnizimit me lëndë të parë brenda vendit.

Gjithashtu, tema diskutimi i këtij takimi kanë qenë edhe krijimi i arkës “Patriot”, vazhdimi i mundësisë së shtyrjes së kësteve të kredisë pa interes, ulja e normës bazë të interes të Bankës Qendrore në 1.7% , ulja e TVSH-së për turizëm, ushqim dhe hoteleri në 5%, subvencionimi i sektorëve të cilët lidhin një zinxhirë të furnizimit.

“OAK kërkoi poashtu përkrahje në ndryshim/plotësimin e disa ligjeve bazike. siç është Ligji për pushimin e lehonisë ku biznesi detyrohet të paguaj dy paga për një vend pune si dhe trajtimi me emergjencë i ligjeve të cilat janë në Qeveri apo Kuvend siҫ është Ligji i Punës, Ligji për Tregëti të Brendshme, Ligji për Bujqësi, Ligji për Pylltari, Ligji i Minierave dhe Mineraleve, Ligji për Investime Strategjike, të ndryshohet Ligji për Shoqëri Tregtare dhe Ligji për Gjykatën Komerciale”, thuhet në njoftimin e OAK-së.

Përgjatë këtij takimi OAK njofton se ka kërkuar po ashtu që të merren parasysh rekomandimet të cilat kjo odë i ka dhënë për Pakon e Rimëkëmbjes Ekonomike, sepse në të kundërtën paralajmëron se pasojat ekonomike kanë filluar të ndjehen mirëpo efekti i Covid19 dhe mungesa e dorës së zgjatur të shtetit do të ndjehet direkt në vitin 2021.

Përfaqësuesi i Grupit Parlamentar të LDK Ilir Ferati,citohet të ketë thënë se është i gatshëm për të ofruar ndihmë për trajtimin e problemeve të cilat janë me prioritet për biznesin.

“Ferati, po ashtu ceku se edhe vetë shteti rrezikohet në momentin që është në krizë biznesi”, thuhet në njoftim.

Në këtë takim OAK u përfaqësua nga Skënder Krasniqi-kryetar i bordit, Qëndresa Ibrahimi- koordinatore, Eleonora Hasani- këshilltare, Diellza Zeqiri zyrtare ligjore dhe Fjolla Smaili- zyrtare për marrëdhënie me publikun./Gazeta Sinjali/


Shpërndaje artikullin