image Kriza energjetike, OAK: Qeveria sa më parë ta hartojë një plan për mbrojtjen e bizneseve

Kosovë

Kriza energjetike, OAK: Qeveria sa më parë ta hartojë një plan për mbrojtjen e bizneseve

news image

Kryetari i Bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës, Skënder Krasniqi gjatë shpalosjes së raportit vjetor, tha se 2021-ën po e përmbyllin si një vit të vështirë pandemik gjatë të cilit operimi i sektorit privat ishte shumë i rënduar.

Krasniqi me këtë rast ka përmendur edhe krizën energjetike e cila ka vështirësuar edhe më tepër funksionimin e rregullt të bizneseve, duke marrë parasysh se reduktimet më së shumti po dëmtojnë bizneset dhe punëtorët.

“Për t’iu dalë në ndihmë bizneseve, është e nevojshme që Qeveria sa më parë ta hartojë një plan për mbrojtjen e bizneseve, që të ketë sa më pak reduktime të rrymës në zonat ku ka biznese, ndërsa në rast të ngritjes së çmimeve, OAK kërkon që të bëhet subvencionimi i diferencës së çmimit”.

Ai tha se shqetësuese është mos funksionimi i Këshillit Kombëtar për Ekonomi dhe Investime si këshill më i lartë në nivel të vendit, në të cilin do të duhej të trajtoheshin të gjitha shqetësimet e bizneseve.

Kreu i OAK-ut përmendi një sërë kërkesash që kanë bërë në BQK për lehtësimin e punës së bizneseve. Një ndër to të largohet kamata prej 5-8 për qind për kthimin e parave metalike në kartëmonedha, detyrim i vendosur nga Banka Qendrore e Kosovës.

Duke uruar për një vit më të suksesshëm më 2022, Krasniqi ka kërkuar nga kryeministri, ministrat dhe Kuvendi i Kosovës që gjatë vitit të ardhshëm të jenë më aktivë në koordinimin e politikave së bashku me biznesin.

/GazetaSinjali/