Ka nisur procesi i mbylljes së Qendrës së Paraburgimit në Gjilan dhe zhvendosja graduale e personave të privuar nga liria drejt institucioneve të tjera korrektuese në Kosovë.
Lajmi është bërë i ditur nga Oda e Avokatëve të Kosovës, e cila ka njoftuar se është informuar zyrtarisht nga Shërbimi Korrektues i Kosovës për fillimin e këtij procesi.
Sipas njoftimit, mbyllja e qendrës lidhet me zbatimin e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Danimarkës, përmes së cilës objekti në Gjilan do të shfrytëzohet për ekzekutimin e dënimeve të personave të dënuar nga autoritetet daneze.
Transferimi i të burgosurve aktualë do të realizohet në faza, duke u bazuar në vlerësimet e sigurisë, kapacitetet e institucioneve korrektuese dhe nevojat operative të Shërbimit Korrektues të Kosovës.
Marrëveshja mes Kosovës dhe Danimarkës, e nënshkruar në vitin 2022, parasheh dhënien në shfrytëzim të rreth 300 qelive në Gjilan për një periudhë 10-vjeçare. Në këmbim, Kosova pritet të përfitojë të ardhura financiare nga kjo marrëveshje.
Projekti ka qenë objekt diskutimesh dhe kritikash në Danimarkë, veçanërisht lidhur me çështjet e të drejtave të njeriut dhe kushtet e trajtimit të të dënuarve.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!