Në konferencë për media, menjëherë pas përfundimit të Kryesisë së Kuvendit me shefat e Grupeve Parlamentare, kryeparlamentari Kadri Veseli, e ka quajtur vendim qenësor, caktimin e datës së seancës për shpërbërjen e Kuvendit.
“Kishim një takim shumë të mirë ku patëm vendimmarrjen konsensuale për të marrë vendime me interes qenësor për qytetarët. I falënderoj kryesinë që caktuam datën e shpërbërjes së Kuvendit të Kosovës që i jep mundësi presidentit që në bazë të diskrecionit të tij të vendos për datën e zgjedhjeve. Zgjedhjet nuk janë vetëm opsion apo alternativë, por janë domosdoshmëri. Ky vend ka nevojë për hapjen e perspektivës për të rinjtë tanë.”, tha Veseli.
Kryesia e Kuvendit të Kosovës sot ka vendosur 22 gushtin, si datë për shpërbërje të Kuvendit, gjë që i hapë rrugë caktimit të datës së zgjedhjeve të parakohshme./Sinjali/