image Serbia i izolon komunat e Kosovës, Veseli: Kjo situatë e rrezikshme kërkon mbledhjen e Këshillit të Sigurisë

Kosovë

Konferencë/ Serbia i izolon komunat e Kosovës, Veseli: Kjo situatë e rrezikshme kërkon mbledhjen e Këshillit të Sigurisë

news image

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka reaguar pas vendimit të Serbisë sipas të cilit dy komunat e Kosovës, Mitrovica Veriore dhe Zveçani janë futur në karantinë si dhe rreth 200 qytetarë në 5 komuna të vendit janë detyruar të izolohen me urdhër nga Beogradi, për të cilin Gazeta Sinjali raportoi ekskluzivisht mbrëmë.

Veseli në një konferencë për media tha se kjo është një situatë e rrezikshme dhe se duhet urgjentisht të mblidhet Këshilli i Sigurisë për ta trajtuar këtë situatë.

“Kjo qeveri ka lënë veriun e vendit dhe tërë qytetarët tanë në dorë të një shteti që as nuk i do as nuk i mbron, por ajo që e bën më alarmante këtë situatë është fakti se kjo qeveri ka aprovuar me marrëvshje të fshehtë futjen e qindra zyrtarëve serbë ku jo të gjithë ata janë të personelit shëndetësor. Kjo qeveri është duke bërë aktin më të rëndë të dorëzim kapitullimit të një pjese të territorit të Kosovës. Ky kryeministër i shkarkuar nuk duhet të lejohet të vazhdojë me këto gabime të rënda.

Kjo situatë e rrezikshme kërkon mbledhjen e Këshillit të Sigurisë për ta trajtuar këtë situatë me seriozitet”, ka thënë Veseli.

Kjo deklaratë erdhi pas raportimit të Gazetës Sinjali për vendimin e Serbisë, ku është lëshuar urdhri që Mitrovica Veriore dhe Zveçani të futen në karantinë dhe të izolohen 210 qytetarë nga disa komuna të Kosovës. /Gazeta Sinjali/