Përveç dy viktimave nënë e bir të familjes Ademaj që humbën jetën, nga vërshimet në Pejë mbrëmë mbetën të lënduar edhe dy qytetarë të tjerë, teksa dëmet materiale janë tejet të larta, raporton Gazeta Sinjali.
Për dy personat e lënduar që mbrëmë u dërguan në Spitalin Rajonal të Pejës, ka dhënë detaje zëdhënësi i këtij spitali, Naim Sahiti.
Ai bëri të ditur se të lënduarit janë jashtë rrezikut për jetë dhe janë duke e vazhduar trajtimin që nga dje në këtë spital/
Pak më parë reagoi edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani e cila i shprehi ngushëllimet e saja familjarëve dhe qytetit të Pejës për humbjen e dy jetëve.
Osmani gjithashtu njoftoi se FSK dhe institucionet e tjera që merren me emergjenca të tilla janë në Pejë që nga mbrëmë ku po i dalin në përkrahje qytetarëve.
“Forca e Sigurisë së Kosovës dhe gjithë institucionet e tjera që merren me emergjenca të tilla janë në Pejë që nga mbrëmë duke ofruar ndihmën dhe përkrahjen e tyre. Në këto momente të rënda, është me rëndësi që përkrahja të vazhdojë në mënyrë që komuna e Pejës të përballojë dhe të rikuperohet nga kjo situatë e vështirë e tragjike”, përfundoi Osmani.