image Vendndodhja misterioze e Albin Kurtit, zyrtarët e LVV-së nuk dinë gjë për liderin

Kosovë

Ftesa/ Vendndodhja misterioze e Albin Kurtit, zyrtarët e LVV-së nuk dinë gjë për liderin

news image

Për të dytën herë me radhë presidenti i Kosovës i ka dërguar ftesë kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtit për t’ia dhënë mandatin për formimin e qeverisë.

Kurti nuk i është përgjigjur pozitivisht ftesës së presidentit për takim në orën 13:30. LVV e ka arsyetuar këtë, duke thënë se ai gjendet jashtë Prishtinës.

Por menjëherë Thaçi ia ka dërguar edhe ftesën e dytë për një takim tjetër të përcaktuar për orën 20:00. Kjo ftesë i ka bërë të paqasshëm zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje, me disa prej tyre të cilët e kanë mbyllur telefonin, e të tjerë që nuk janë përgjigjur.

Në tentimin e Gazetës Sinjali për ta marrë një përgjigje nëse Kurti do të paraqitet në takimin e orës 20:00, në telefon janë përgjigjur vetëm deputeti i rizgjedhur nga kjo parti, Valon Ramadani, dhe zyrtari tjetër, ish-deputeti Ali Lajçi.

Ramadani tha se ndodhet jashtë Kosovës dhe se nuk di asgjë as për vendndodhjen e Albin Kurtit, e as për qëndrimin e LVV-së karshi ftesës së Thaçit.

“Nëse kishit mundur ta thirrni dikë tjetër në LVV për shkak se jam jashtë… Puna është që unë nuk jam në Kosovë për momentin. Jam rrugës për Kosovë, prej Shkupit. Sot nuk kam qasje në internet dhe s’kam informacion”, ka thënë Ramadani.

Pa informacion për liderin ka qenë edhe Ali Lajçi, i cili tha se takimi është çështje teknike, duke e lënë të hapur mundësinë që Kurti të mos paraqitet në Presidencë as në orën 20:00.

“Mund të supozohet tash, por është çështje teknike dhe nuk mund ta themi prerazi. Vetëm nëse ka angazhime tjera, por duhet me marrë mandatin. Ai tash do të përgjigjet Albini vet dhe do ta shikojë kohën që e ka në dispozicion. Tash nuk di a mbërrin, do të shohim. Nuk kemi informacion për vendndodhjen e tij sepse ka agjenda të shpejta dhe takime të shumta”, ka thënë Lajçi.

Thaçi fillimisht e ftoi sot më herët zyrtarisht kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për të caktuar mandatarin për formimin e qeverisë në orën 13:30 në kabinetin e presidentit, por që nga LVV deklaruan se ky i fundit nuk mund të takohet me Thaçin pasi nuk ndodhet në Prishtinë.

Pas kësaj, Thaçi e ka dërguar edhe ftesën e dytë në LVV, me takimin që tani është paraparë të ndodhë në orën 20:00. /Gazeta Sinjali/