Rrahim Sallahu, prej vitesh është duke u përballur me drejtësinë. Për vepra shumë të rënda, përfshirë fajdenë. Rrahimi do të ishte person krejtësisht pa rëndësi nëse ai nuk do të ishte vëllai i zëvendësministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahu.
Rrahimi, ka dalë para drejtësisë para se vëllai i tij të bëhej zëvendësministër. Akuzohet për vepra të rënda përgjatë viteve 2011-2015.
Sallahu në dy raste akuzohet për fajde, kurse në një rast tjetër për armëmbajtje pa leje.
Ai së bashku me Enver Avdullahun, Fatlum Abazin dhe Bujar Avdullahun, ishin deklaruar të pafajshëm në shqyrtimin gjyqësor në vitin 2017.
Katër të akuzuarit, kishin mohuar të kenë kryer veprën penale për të cilën ngarkoheshin nga prokuroria, raportonte Betimi për Drejtësi.
Avokati i Muharrem Sallahut, Hasan Jashari, ka thënë se nga 2017 nuk është mbajtur asnjë seancë dhe nuk e di se pse nuk janë mbajtur seanca.
Ai ka mohuar se vëllai i tij tashmë zëvendësministër të ketë ndikuar që rasti të mos shqyrtohet.
“Jo nuk besoj se ka ndonjë ndikim sepse vëllai ju ka ba zëvendësministër shumë vonë, a rasti nuk ka ec ma prej 2017-ës”, ka thënë Jashari për Insajderin.
Jashari në një seancë gjyqësore, në vitin 2017, kishte thënë se i mbrojturi i tij gjatë vitit 2012 i kishte dhënë të dëmtuarit Kushtrim Musliut, siç e quan ai “mik i shtëpisë”, mjete në huazim, por të cilat Musliu asnjëherë nuk ia kishte kthyer.
Jashari kishte thënë se i akuzuari Sallahu, nuk kishte kërkuar interes në këto mjete, por të cilat ia kishte dhënë të dëmtuarit vetëm për t’i ndihmuar.
Sallahu ishte mbajtur në burg një kohë. Atij i ishte ndërprerë masa e paraburgimit, pasi mbrojtësi i tij, avokati Hasan Jashari kishte ofruar 10.000 euro të dorëzanisë për të siguruar praninë e të pandehurit gjatë procedurës gjyqësore.
Enver Avdullahu, Rrahim Sallahu, Fatlum Abazi dhe Bujar Avdullahu, akuzohen se duke shfrytëzuar pozitën materiale të të dëmtuarit Kushtrim Musliu, gjatë periudhës 2011-2015, i kishin dhënë atij borxh shuma të ndryshme të parave dhe mjeteve motorike, në të cilat shuma kishin llogaritur dhe marrë fajde.
Këto fajde, sipas aktakuzës, në borxhin që i dëmtuari e ka marrë, i janë llogaritur në shuma javore, mujore, të cilat sipas aktakuzës, disa herë kishin kaluar shumën e parave të marra borxh.
I akuzuari Enver Avdullahu, akuzohet se nga shuma që i dëmtuari kishte marr borxh 19.200 euro, i pandehuri ka llogaritur borxhin në shumë prej 64.100 euro, të cilës shumë po ashtu i shtohen edhe vlerat e veturave “Opel Corsa”, në vlerë prej 3300 euro (viti 2012), “Fiat Punto” në vlerë prej 2100 euro (viti 2013), “Golf 5” në vlerë prej 10.00 euro (viti 2013) dhe një “Audi A6”, në vlerë prej 12.500 euro (viti 2014), ku përpos të gjitha këtyre, i pandehuri kërkon në emër të fajdesë edhe shumën prej 8.000 euro, i cili raport ka mbetur i hapur.
I pandehuri Rrahim Sallahu, akuzohet se gjatë periudhës 2012 e deri në ditën e arrestimit, i dëmtuari kërkon dhe merr 7.000 euro borxh, i cili borxh pas tre muajve, në emër të fajdesë bëhet 10.000 euro, pastaj më vonë merr edhe shumën prej 4.000 euro, për t’ia kthyer 4.400, për çka si garancion lë veturën e tipit “Golf 5”, në vlerë prej 6.500 euro.
Sipas aktakuzës, në shkurt të vitit 2014, prapë i dëmtuari kërkon dhe merr borxh nga i pandehuri Sallahu shumë prej 20.000 euro, me kamatë mujore prej 5%.
I pandehuri Fatlum Abazi, akuzohet se gjatë periudhës 2011-2015, i jep borxh të dëmtuarit shuma të ndryshme të parave dhe mjete motorike në të cilat llogaritë dhe merr fajde.
Sipas aktakuzës, i dëmtuari ka marr nga i pandehuri para borxh në shumën totale prej 37.700 euro, derisa është dashur t’i kthej 80.350 euro.Kurse, të pandehurit Enver Avdullahu dhe Bujar Avdullahu, në bashkëkryerje për periudhën 2014-2015 kishin marrë në emër të fajdesë shumën 7.700 euro, ndërsa në vitin 2013, shumën prej 3.300 euro.
Zëvendësministri Blerim Sallahu nuk është përgjigjur ende nëse po ndikon që vëllai i tij të mos gjykohet dhe lënda të zvarritet./Gazeta Sinjali/