Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal ka shqyrtuar Rekomandimet e Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere në lidhje me shkarkimin e anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK), shkruan Gazeta Sinjali.
Në mbledhjen e sotme të Komisionit është kërkuar që të iniciohet shkarkimi i Bordit për shkak të paaftësisë profesionale, që Bordi të jetë personalitet me integritet të lartë profesional dhe etik, si dhe të bëhet plotësim- ndryshimi i ligjit për RTK-në.
Nënkryetari i Komisionit, Mërgim Lushtaku ka thënë se të gjeturat nga Komisioni për Buxhet nuk janë evidente që të iniciohet një shkarkim i këtij Bordi, ndërsa ka pranuar se RTK-ja nuk është në formën më të mirë, por ka thënë se shkarkimi nuk duhet të bëhet për çështje politike.
“Rekomandimi imi është që mos të iniciohet një shkarkim i tillë për arsye politike. Mbetet në kompetencën e deputetëve që të vendosim për një shkarkim të tillë. Mediumi i RTK-së ka ngecje të mëdha por të gjeturat nuk kanë qenë aq evidente për një shkarkim të tillë. Jam dakord që të ketë ndryshime në Ligjin për RTK-në sidomos në aspektin menaxherial”.
“Nuk ka kritere që e bëjnë një mbikëqyrje të mirë. Ka mangësi në RTK sidomos në raportimin lidhur me buxhetin. E shohim që ka vullnet për shkarkim, ne e dimë që këto po bëhen për çështje politike”, është shprehur ai.
Në anën tjetër kryetarja e Komisionit, Doarsa Kica-Xhelili ka thënë se rekomandimet e Komisionit për Buxhet japim mjaft detaje dhe tregojnë që Bordi i RTK-së ka shkelur nenin 28 e 29 të Ligjit për RTK-në.
Kurse anëtari i Komisionit nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Agim Veliu ka thënë se rekomandimi për shkarkim po bëhet me qëllime tërësisht politike dhe me qëllim të kapjes së mediumit publik.
“Për mendimin tim nuk është bërë një vlerësim i duhur i Bordit. Ky rekomandim është tërësisht politik, me qëllim të kapjes së një mediumi që duhet të jetë i pavarur. Rekomandimit e Komisionit nuk janë bindëse. Është tërësisht një veprim politik. Ju e keni shumicën mund ta bëni por për mua kjo formë është e papranueshme”, ka thënë ai.
Ndërsa anëtari i Komisionit nga anët e LVV-së, Besim Muzaqi ka thënë se në këto pika të rekomanduara nga komisioni ka arsye të qëndrueshme për shkarkim të Bordit të RTK-së dhe ka rekomanduar që të shkojnë direkt në votim.
“Ky Bord ka dështuar totalisht. Situata është kristal e qartë, RTK-ja ka pasur një Bord që ka keqmenaxhuar dhe qytetarët meritojnë një Bord krejt tjetër nga ky”, ka thënë ai. /GazetaSinjali/