Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, ka publikuar një fotografi me emisarin amerikan në dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, si shenjë falënderimi pasi dje Milenium Challenge Corporation (MCC) ka njoftuar se do ta zhbllokojë ndihmën amerikane prej 200 milionë dollarësh për Kosovën.
Veliu ka thënë se miqësia, besnikëria dhe bashkëveprimi i ndërsjellë mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës rezulton në veprime dhe projekte konkrete, transmeton Gazeta Sinjali.
“Miqësia, besnikëria dhe bashkëveprimi i ndërsjellë mes ShBA-ve dhe Kosovës, fryt i vizionit perëndimor euroatlantik, rezulton në veprime dhe projekte konkrete. Dje MCC ka zhbllokuar fondin prej mbi 200 milionë dollarësh menjëherë pasi që Qeveria e Kosovës largoi pengesat për vazhdimin e dialogut”, ka shkruar ministri Veliu në profilin e tij zyrtar në Facebook.
Kujtojmë, se MCC (Korporata Sfidat e Mijëvjeçarit, agjenci qeveritare e SHBA-ve) kishte bllokuar investimet e saja në Kosovë pas refuzimit të qeverisë së Kosovës për të hequr taksën ndaj mallrave serbe. Një vendim i tillë i MCC-së ishte marrë gjatë kohës së Qeverisjes Kurti.
Ndërsa, dje kjo korporatë ka njoftuar rinisjen apo zhbllokimin e fondeve.
Ky njoftim erdhi menjëherë pasi Qeveria e sapozgjedhur e Kosovës hoqi masën e reciprocitetit ndaj Serbisë./Gazeta Sinjali/