Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, pritet të sqarojë çështjen lidhur me raportimet se ish-ushtruesi i detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka lënë kasafortën me dokumente të klasifikuara shtetërore hapur. Këto dokumentet mbajnë vulën e konfidencialtetit dhe të cilat lidhen direkt me sigurinë kombëtare.
Kjo është bërë e ditur në mbledhjen e sotme të Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes.
Nënkryetari i këtij komisioni, Bekë Berisha, tha se sqarimet për këtë çështje do t’i japë javën tjetër ministri i këtij dikasteri, Agim Veliu.
“Ne e kemi thirrur të raportojë në Komision ministrin e Punëve të Brendshme dhe pastaj aty do të sqarohet gjithçka”, tha Berisha.
Në mbledhjen e sotme është shqyrtuar edhe çështja për zgjedhjen e komisioniarit.
“Ishte urgjente përzgjedhja e komisionarit pasi pa pasur komisionarë nuk ka as inspektorë dhe ky agjencion ishte në hall dhe ne u zotuam se do të ndërmarrim masa dhe të ndihmojmë zgjedhjen sa më parë të komisionarit”, tha Berisha.
Berisha po ashtu ka shtuar se në këtë mbledhje u diskutua edhe për Nezir Mehmetajn, i cili është ndaluar nga autoritetet serbe.
“Morëm zotimin që, siç e dini, qytetari i Kosovës, Nezir Mehmetaj gjendet në Serbi dhe institucionet nuk kanë mundur të bëjnë asgjë. Ne kemi sistem te drejtësisë. Ai duhet të përgjigjet për çka do qoftë në institucionet tona apo për ndonjë krim lufte, ne e kemi edhe Gjykatën Speciale dhe nuk ka nevojë që qytetarët e Kosovës të mbahen peng në Serbi. Iu bëjë apel me president, me kryeministër, me ministër të Punëve të Brendshme që të ngrenë zërin për Nezir Mehmetaj”, tha ai.
Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes në mbledhjen e sotme ka shqyrtuar raportin vjetor të Agjencisë për Informim dhe Privatësi për vitin 2019./GazetaSinjali/